120-vjetori, super Lazio dhe titulli kampion: Igli Tare ka një mesazh të qartë

schedule13:33 - 9 Janar, 2020

schedule 13:33 - 9 Janar, 2020

Lazio feston sot 120-vjetorin e krijimit dhe kjo e sivjetshmja është një ditëlindje speciale dhe shumë e bukur. Ekipi po fluturon në fushë, fitoi Superkupën përballë Juventusit dhe i ka fituar 9 ndeshjet e fundit në kampionat.

Kreu është afër, por Igli Tare bën thirrje për të qëndruar me këmbë në tokë. Drejtori sportiv i klubit më të vjetër të kryeqytetit italian ka folur gjatë festimeve të klubit, aty ku konfirmon objektivin Champions.

Vlonjati nuk ka frikë, është realist dhe e pranon që nëse Lazio do të jetë në këto nivele në 4-5 javët e fundit të kampionatit, atëherë të gjithë në kampin bardhekaltër do të tentojnë titullin kampion.

Shpresojmë t’u dhurojmë tifozëve edhe 120 vite të tjera në të njëjtën mënyrë që po kalojmë këtë periudhë, por në të njëjtën kohë duhet të kuptojmë se rreziku i humbjes së gjithçkaje të bukur që kemi ndërtuar është gjithmonë i mundshëm.

Duhet të tregohemi të aftë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë me përulësi. Jemi vetëm në gjysmë të rrugës, kemi fituar shumë beteja, por duhet të fitojmë luftën. Kjo është vetëm fotografia e momentit. Po bëjmë diçka të jashtëzakonshme, por duhet ta çojmë deri në fund.

Titulli? Nuk shqetësohemi nga diçka e tillë, i shpikni ju këto zëra. Është bukur të ëndërrosh, por unë jam profesionist dhe përpiqem të eci përpara me këmbët e ngulura në tokë.

Objektivi ynë është kualifikimi në Champions League, e kemi thënë që në fillim të sezonit. Sapo të arrijmë këtë objektiv, nëse do të gjendemi në 4-5 javët e fundit duke luftuar për diçka më të madhe, nuk do të fshihemi. Por, të fokusohemi te Champions në fillim“, përfundon Igli Tare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!