12 vjet nga protesta e 21 janarit

schedule08:11 - 21 Janar, 2023

schedule 08:11 - 21 Janar, 2023

Sot, shënohen 12-vite nga gjarja e 21 janarit e vitit 2011, e cila është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë, pasi mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin dëshmorët e kombit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Protestues të shumtë iu drejtuan kryeministrisë duke kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria. Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nga aty ku u qëllua ndaj 4 qytetarëve që mbetën të vdekur ishte nën komandën e Ndrea Prendi.

Gjithçka ka nisur rreth orës 14:00 të 12 viteve më parë, kur protestuesit kanë përshkuar rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia ka ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej. E gjitha ka nisur pas skandalit me videon Meta – Prifti, ku është folur për koncesion dhe kjo ka shtyrë që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni, siç e ka quajtur atëherë Partia Socialiste.

Turma ka nisur me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, ka filluar hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata është tensionuar pasi protestuesit kanë tentuar të hyjnë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia ka mbrojtur ambientin e brendshëm. Për një moment kanë nisur të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë dhe ato të shtëna kanë lënë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku edhe ka vdekur pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli asokohe në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita është shprehur se shteti, nëpërmjet segmenteve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit. Partia Socialiste e ka akuzuar si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk është ndalur vetëm me akuzat për PS-në, ai ka sulmuar ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë. Pas seancave maratonë, dy personave kryesore që kanë qëlluar Agim Llupon dhe Ndrea Prendin janë shpallur të pafajshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!