Abc ka siguruar foton e skanerit të kontejnerit me banane ku u gjetën 119 kg kokainë të nisura nga Amerika Latine drejt magazinave të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit.
Gazetari Ermal Vija ka bërë me dije se kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas zhdoganimit e kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër kësisoj ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës. Por në afërsi të fshatit Romanat në rrugën nacionale Durrës-Tiranë kamioni është ndaluar nga 4 persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejner dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Sipas shoferit të kontejnerit ata e kanë thënë që të mos hapë gojën duke e kërcënuar me familje.
Për këtë ngjarje përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Uniformat blu bënë një kontroll të imtësishëm në kontejner dhe gjetën 119 kilogramë kokainë. Megjithatë Gjykata ka lënë në burg administratorin e firmës Zico Sh A Marson Murataj që merret me import eksport të bananeve dhe dy shoferët e kontejnerit Gëzim Kalaja dhe Hasan Saliu. Droga u gjet pikërisht në kontejnerin me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar transit në portin e Goia Tauro në Itali. be.k/abcnews.al