119 kg kokainë në kontejnerin me banane, ndalohet agjenti i AKU-së dhe ai doganor në Durrës

schedule20:46 - 6 Janar, 2022

schedule 20:46 - 6 Janar, 2022

Një agjent i AKU-së dhe një doganor në Durrës janë ndaluar për rastin e 119 kg kokainë që u sekuestruan në një kontejner me banane. Dy agjentët janë ndaluar për shpërdorim detyre dhe mos ndjekjen e procedurave standarte të kontrollit të kontejnerit me banane në të cilën u gjet sasia e lëndës narkotike.

Burime për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë të ditur se Prokuroria e Tiranës ka bërë një sërë veprimesh hetimore në lidhje me rastin. Janë sekuestruar dokumente dhe kamerat e skanerit. Ndërkohë po verifikohen të gjitha faktet e mbledhura dhe më pas nëse do të ketë prova do të arrestohen dy të ndaluarit.

Në polici janë shoqëruar nëntë persona që janë marrë në pyetje në lidhje me rastin, por ende nuk ka të arrestuar.

Deri më tani janë marrë në pyetje persona që janë marrë me çdoganimin e mallit, ata që kanë pasur detyrim që të ruanin kontejnerin dhe janë sekuestruar kamerat e portit dhe të rrugës deri në Romanat. Mësohet po ashtu, se në port ngarkesa ka dalë e pastër kur ka kaluar në skaner ndërkohë që në kontejner kishte pasur kokainë.

Kujtojmë se droga brenda pakove me banane të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit në Tiranë është zbuluar pas telefonatës së bërë më 30 dhjetor nga administratori i kompanisë së bananeve, duke vënë në dijeni strukturat e shtetit për këtë linjë trafiku të kokainës.

Ka qenë pronari i kompanisë Trifon Murataj ai i cili ka telefonuar Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Gledis Nano. Kjo telefonatë sipas dosjes me dëshmitë, ka ardhur pasi administratori i kompanisë Marson Murataj ka folur me pronarin duke i  treguar si ka ndodhur ngjarja, referuar tregimit të shoferëve të firmës që po transportonin kontejnerin, Hasan Saliaj dhe Gëzim Kalaja, shkruan abcnews.al.

Shoferi i kamionit, Hasan Salihu, ka treguar përballë hetuesve se më 28 dhjetor kishte shkuar në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane për llogari të firmës “Ziço Sh.a”. Në kthim drejt kryeqytetit, rreth orës 17:30, në vendin e quajtur Romanat, 4 persona që u prezantuan si punonjës policisë, i prenë rrugën dhe ushtruan kontroll në kamionin me banane. Kur u larguan e kërcënuan që mos tregonte asgjë. Salihu ka deklaruar se pas kësaj ka vërejtur kutitë me banane që ishin të çrregullta si dhe gomat e mjetit ishin të rëna, prandaj kërkoi ndihmën e kolegut, Gëzim Kalaja.

Shoferi i kamionit pretendon se ishte shumë i frikësuar dhe nuk njoftoi policinë, por vuri në dijeni menaxherin e firmës, Marson Muratajn, ndërsa kamioni u transportua drejt magazinave në Vaqarr. Ishte menaxheri që njoftoi pronarin e kompanisë që jeton në SHBA, dhe ky i fundit më 29 dhjetor telefonoi drejtorin e përgjithshëm të policisë.Nano ia ka kaluar çështjen drejtorit të policisë kriminale Tonin Vocaj, i cili ka marrë në telefon shoferin e kompanisë për ti sqaruar ngjarjen. Të nesërmen punonjësit e policisë kanë zbarkuar në magazinat e kompanisë në Vaqarr.

Si u zbulua droga në magazina

Me pas punonjësit e  policisë kanë vazhduar me procedurat e tyre kqyrje etj. Gjatë shkarkimit të arkave punonjësit kanë vërjetur se disa prej tyre ishin më të rënda. Punonjesit e policisë ndërhynë dhe panë që poshtë shtatë arkave ishin disa pako drejtëkëndëshe me kokainë.

Unë Artur Leka, Oficer i Policisë Gjyqësore, në bazë të nenit 293 të K.Pr.Penale, me këtë akt i referoj Prokurorit te Prokurorise Prane Gjykates se Shkallës së Parë Tiranë, se me date 31.12.2021, në ambientet kompanise ZICO SHA, e cila ndodhet në Vaqarr, Tirane, është gjetur një sasi lende narkotike e llojit kokainë. Pas njoftimit të marre nga punonjës të kompanisë ZICO SHA, e cila ndodhet né Vaqarr, Tirane, më date 30.12.2021, rreth orës 10.30, është shkuar në ambientet e magazinsve të kësaj kompanie, ku është konstatuar një automjet kamion me targe AA126RE, i cili kishte të  ngarkuar arka bananeah në kontenjerin i cili u gjend i hapur dhe jashtë këtij kontenjeri ishin dhe 4 paleta me arka bananesh sipër, të cilat ishin shkarkuar nga ky kontenjer dhe ishin në ambjentet e magazines së firmes ZICO SHA.

Gjatë kontrollit të ushtruar arkat e bananeve të këtij kontenjeri u konstatuan poshtë bananeve ne shtatë arka bananesh, pako ne forme drejtkendeshi të mbéshjella me natriban transparent poshtë të cilit ka qese ngjyre jeshile, brenda te cilave ka material pluhur te ngurtesuar, me të bardhë të dyshuar si lëndë narkotike kokainë. Pasi u numëruan pakot me lëndë të dyshuar narkotike renultuan 100 pako. Pakot u futen nga ana jone në qese provash”, tha thënë oficeri.

Lexo edhe: “Të zhduk familjen”, si iu bë “pritë” shoferit të konteinerit me 119 kg kokainë: Jemi shteti, hape krahun

Në total në kontejner janë gjetur 119 kg kokainë që ishte ndarë në 100 pako. Pavarësisht se denoncimi u bë nga vetë kompania  një ditë më parë, gjykata ka lënë në burg, Hasan Salihun, Gëzim Kalanë dhe Marson Muratajn me akuzën e trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim.

Skaneri në Durrës

Kontejeri doli i pastër në Durrës. Gjatë kontrollit me skander nuk u zbulua dot sasia prej 119 kg kokainë që sekuestrua në Vaqarr. Kjo ka sjellë edhe  nisjen e hetimeve. Në ditët në vijim pritet që hetimet për këtë rast të kryhen nga prokuroria e posaçme SPAK, ku do të verifikohen veprimet e kontrollorëve dhe zyrtarëve të portit në lidhje me skanimin e kontejnerit.

Lexo edhe: Kokainë në vend të bananeve, ABC zbardh dosjen, dëshmia e shoferit të kamionit dhe misteri i kërcënimit

Nisja nga Ekuadori

Gjithçka ka nisur në një nga portet e Ekuadorit. Droga u gjet pikërisht në kontejnerin me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar transit në portin e Goia Tauro në Itali. Autoritetet doganore në vendin fqinj kanë konstatuar se kontejnerit i mungonte plumbçja apo vula. Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë vënë re mungesë të arkave me banane. Pas kësaj kontejneri është mbyllur, riplumbosur. Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!