115 të arrestuar nga Operacioni “Fati i lojërave”, pse dhoma prej “qelqi” ishte bosh kur gjyqtari caktoi masat e sigurisë

schedule21:25 - 23 Shkurt, 2020

schedule 21:25 - 23 Shkurt, 2020

Gjykata penale e Tiranës la në burg 16 nga 30 të arrestuarit e operacionit “Fati i Lojërave”, të cilët dolën para togave të zeza për caktimin e masës së sigurisë. 5 të arrestuar të tjerë u liruan me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për 9 të tjerë gjyqtari Ardian Kalija vendosi lirimin nga qelia me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Për 20 nga këta të arrestuar prokurorja Anisa Qilimi, kishte kërkuar masën e sigurisë arrest në burg. Por gjyqtari vendosi të lërë në qeli vetëm 16 prej tyre.

Asnjë  nga të arrestuarit nuk e dëgjoi në sallë vendimin e gjyqtarit. Ata kishin qenë në seancë gjatë shqyrtimit të provave, por për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, dhoma prej qelqi ishte bosh teksa gjyqtari Kalija shqiptonte masat e sigurisë.

Të arrestuarit janë përfaqësuar në seancë nga avokatët e tyre, të cilët hodhën poshtë akuzat e prokurores Qilimi.

Të arrestuarit akuzohen për fshehje të të ardhurave, pastrim parash, përshtatje të ambienteve për lojëra fati dhe zhvillim i lojërave të fatit.

Në orët e para të së premtes në Tiranë dhe 7 qytete të tjera të vendit, u ushtruan  kontrolle nëpër lokale ku dyshohej se ushtrohej në mënyrë të kundraligjshme aktiviteti i basteve sportive dhe lojërave të fatit, i mbyllur me ligj që nga 1 janari i vitit të shkuar.

Gjatë operacionit të koduar “Fati i Lojërave” u vunë në pranga 115 persona, mes të cilëve administratorë dhe menaxherë lokalesh. Policia sekuestroi gjithashtu 170 milion lekë, kompjuterë dhe celularë.

Të hënën në orën 9.30 do të dalin para gjykatës pjesa tjetër e 115 të arrestuarve në këtë operacion. Do të jenë pikërisht 84 personat që u ndaluan gjatë operacionit të zhvilluar në Tiranë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!