110 milionë euro për Becchettin, PD: Rama, Agaçi & Co do të paguajnë me pasuritë e tyre faturën mafioze

schedule10:44 - 6 Prill, 2021

schedule 10:44 - 6 Prill, 2021

Ish-deputetja e Partisë Demokratike ka bërë sot përgjegjës për humbjen e gjyqit në arbitrazh me biznesmenin italian Becchetti, qeverinë Rama. Në një deklarate për mediat, Tabaku  u shpreh se Rama dhe ata që i quajti “Agaçi&Co” do të paguajnë me pasuritë e tyre faturën prej 110 milion eurosh.

Siç u shpreh Tabaku, dosja në arbitrazh zbulon se Engjëll Agaçi, shantazhon dhe kërcënon Becchettin. Nga të dhënat e publikuara, sipas PD, zbulohet, gjithashtu, se Avokatura e Shtetit, nën kontrollin e Ramës dhe Engjëll Agaçit, as nuk ka tentuar ta përgënjeshtrojë këto dëshmi kyç të Bechettit për të fituar çështjen 110 milionë euro në gjyqin ndërkombëtar të arbitrazhit.

“Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro,” shprehet Tabaku.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

“Zbulimi në media i pjesëve nga dosja e gjyqit të humbur përfundimisht të qeverisë për mbylljen e “Agon Channel” ka nxjerrë në dritën e diellit të gjitha tiparet e shtetit të kapur, të korruptuar dhe klientelist që ka ndërtuar Edi Rama në këto 8 vite.

Dosja në arbitrazh zbulon se Engjëll Agaçi, njeriu më i afërt i Kryeministrit, shantazhon dhe kërcënon Becchettin, pronarin e një televizioni për të ndryshuar qendrimin editorial të Agon Channel. Nga të dhënat e publikuara, zbulohet, gjithashtu, se Avokatura e Shtetit, nën kontrollin e Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, as nuk ka tentuar ta përgënjeshtrojë këto dëshmi kyç të Bechettit për të fituar çështjen 110 milionë euro në gjyqin ndërkombëtar të arbitrazhit.

Kjo sjellje mafioze e Edi Ramës u kushton shqiptarëve 110 milionë euro. Edhe foshnjat duhet të paguajnë 45 mijë lekë për dëmin e shkaktuar nga Edi Rama.

Do të paguajnë për të demokratë e socialistë.

Në aferën 110 milionë, që Shqiperia do të paguajë pa asnjë mundësi dhmangieje, janë konsumuar disa vepra penale. Më e pakta është shpërdorimi i detyrës. Ky është një rast i artë që SPAK t’u provojë shqiptarëve se investimi i madh tek reforma në drejtësi po shpërblehet dhe abuzimi me pushtetin nuk kalon pa u ndëshkuar.

Me fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, afera 110 milionë euro do të jetë një nga çështjet kryesore që qeveria e Partisë Demokratike do të hetojë.

Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro.

Shqiptarët duan drejtësi dhe me Partinë Demokratike në krye të qeverisë do ta kenë atë! Ky është ndryshimi! Ta bëjmë atë realitet në 25 Prill duke votuar për PD dhe Lulzim Bashën!” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!