11 vjet nga protesta e përgjakshme e 21 janarit

schedule07:45 - 21 Janar, 2022

schedule 07:45 - 21 Janar, 2022

Sot shënohen 11-vite nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin dëshmorët e kombit.

Më 21 janar humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .

Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi hetimet për 4 viktimat Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku u kërkua ri-ekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.

ABC zbardhi më herët kërkesat e policisë për rihetimin e vrasjes së katër protestuesve. Specifikisht policia kërkoi riinspektim të predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, nëse ka laboratorë për ekzaminime kriminalistike ne vendet e BE- se dhe jashtë saj që janë në gjendje ta ekzaminojnë atë.

Në kërkesat e uniformave blu kërkohej riinspektimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, dhe plagosjen e  Fatos Mahmatajt, Sokrat Godes, Erald Bisha, Artes Dybelit, lia Qeskos dhe llia Papas. Kërkohej gjithashtu marrja në pyetje efektivëve të Gardës dhe personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave dhe personave dëshmitarë që kanë qenë pranë tyre në momentin e ngjarjes.

Lexo edhe: Kërkesat e policisë për rihetimin e 21 Janarit, predha në trupin e Aleks Nikës të dërgohet jashtë vendit

21 janari  2011: Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011 është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Protestues të shumtë iu drejtuan kryeministrisë duke kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria. Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nga aty ku u qëllua ndaj 4 qytetarëve që mbetën të vdekur ishte nën komandën e Ndrea Prendi.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën “Dëshmorë të Atdheu” në përkujtimoren e 10-të. Si çdo vit edhe këtë 21 janar nuk do të mungojnë homazhet nga familjarët dhe politikanët në vendin ku u vranë protestuesit. Padyshim që 21 janari është një ndër ngjarjet më të rënda në Shqipëri ndërsa familjarët e viktimave, nuk kërkojnë gjë tjetër veçse drejtësi, pasi kjo ngjarje nuk është zbardhur e plotë dhe vijon të prodhojë debate. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!