11 maj ora 18.30 protesta e radhës para Kryeministrisë

schedule11:12 - 22 Prill, 2019

schedule 11:12 - 22 Prill, 2019

“Në 11 Maj në 18:30 është takimi i radhës mes opozitës së bashkuar dhe protestuesve të cilët kanë ushqyer këtë valë protestash opozitare të nisur më 16 shkurt. E 10-ta në radhë, protesta u zyrtarizua pas mbledhjes së kolegjit të kryetarëve të Partisë Demokratike”.

Mbledhja zgjati mbi një orë dhe pasoi atë të Këshillit Kombëtar i cili vetëm pak ditë më parë ri-konfirmoi qëndrimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve në rast se nuk ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme… kushtin për arritjen e kësaj të fundit, kryedemokrati Basha mësohet ta ketë zgjeruar edhe përtej largimit të kryeministrit Rama në takimin me krerët e degëve.

Basha: “Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet”.

Për të arritur këtë qëllim kolegji i kryetarëve ka këshilluar përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke nisur nga kjo e enjte, me protesta rajonale në akset kryesore kombëtare.

Basha: “Fatura do të jetë vetëm e Edi Ramës. Stabiliteti mbrohet vetëm duke mbrojtur demokracinë dhe jo duke investuar tek krimi.”

Për kryedemokratin, në kushtet ku vendi ndodhet sot, pa Gjykatë Kushtetuese prej një viti e gjysmë, me gjykatë të lartë jofunksionale dhe prokurori të përgjithshme e parlament të paligjshëm sipas tij, vetëm zgjedhjet e lira mund të kthejnë legjitimitetin e institucioneve, ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!