Të premten në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë të 11 kuksianëve te ndaluar pas protestës në Rrugën e Kombit. Avokatët e tyre, që apeluan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkojnë lirimin e 11 protestuesve. Ndërkohë për nesër janë paralajmëruar protesta para Gjykatës së Kukësit.
Prokuroria e Kukësit nuk është tërhequr nga akuzat ndaj 11 protestuesve në Rrugën e Kombit, të cilët ndodhen në arrest me burg.
Megjithë apelimin në Shkodër, seanca, e cila pritet të zhvillohet të premten, një burim nga institucioni i akuzes i tha ABC Neës, se do të paraqiten po ato akuza, pa tolerime.
Prokuroria i qëndron asaj mase sigurie që u vendos në Gjykatën e Shkallës se Parë arrest me burg.
Ndërkohë një ditë para se të bëhet seanca në Gjykatën e Apelit në Shkodër, të enjten në Kukës do të protestohet.
Grumbullimi do të bëhet para Gjykatës së Kukësit aty ku dhe do të kërkohet lirimi i 11 personave që ndodhen në qeli.
Një njoftim është shpërndarë nga komisioni i protestës i përbërë nga anëtarë të këshillit bashkiake të Kukësit dhe të shoqatës së biznesit.
Sipas tij, protesta do të mbahet në orën 11:00. Përveç lirimit të protestuesve në Rrugën e Kombit gjatë së cilës pati edhe përplasje me policinë, djegje e dëmtime të sporteleve të koncesionarit, do të kërkohet sërish heqja e taksës.
Organizatorët kanë kërkuar pjesëmarrje të të gjithë banorëve të Kukësit./abcnews.al