100-vjetori, Biblioteka Kombëtare në kolaps hapësirash, Misha: Zgjidhje biblioteka e re

schedule18:58 - 15 Janar, 2020

schedule 18:58 - 15 Janar, 2020

100 vjetori, Bibliotekën Kombëtare e gjen në ditët e saj më të këqija me mungesë të plotë hapësirash. Zgjidhja e këtij ngërçi sipas drejtorit Piro Misha, vjen me ndërtimin e bibliotekës së re, e cila pritet të nisë këtë vit.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha në një intervistë për “ABC News” thotë se nisja e punimeve për godinen e re në këtë 100 vjetor është domosdoshmëri. Misha pranon se projekti është gati, por mungojnë fondet për zbatimin e tij. Ky përvjetor e gjen Bibliotekën në kolaps hapësirash. Ai thekson se për të patur normalitet nevojiten 12 herë më shumë hapësira.

“Është një vit i rëndësishëm ku do të kemi mundësi të tërheqim vëmëndjen te kjo biblikotekë dhe problemet që ka. Një projekt egziston, por është tej mundësive tona sepse është një investim i madh që është një çështje e qeverisë”, tha Misha.

Piro Misha 4 muaj më parë teksa mori detyrën si drejtues të Bibliotekës Kombëtare, e cilësoi pamjen që në hyrje depresive, megjithëse ende nuk ka ndryshuar asgjë, as në ballin  ku gërmat e Bibliotekës janë shumë të vogla dhe as dyert që e shqetësonin.

“Pasi hyn përditë këtu mësohesh më gjërat dhe kjo është një gjë e keqe. Për gjithë hyrjen e Bibliotekës duhet ndërhyrje, ka probleme shumë themelore, të sigurisë si edhe të ruajtjes së librit. Por shumë gjëra varen nga qartësia rreth perspektivës”, u shpreh ai.

Festimet e 100 vjetorit sipas Mishës do të jenë të fokusuara në dy drejtime.

“Që të bëhet e dukshme pasuria e jashtëzakonshme që është këtu, duhet të bëhet e njohur nga publiku. Biblioteka të kthehet në një institucion kërkimor – shkencor”, tha Misha.

Ndërkohë që çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” që  prej vitit 2017 nuk është dhënë, për fatin e tij  drejtori thotë së do të vendosë Këshilli Shkencor.

“Do të diskutohet në Këshillin Shkencor, rëndësi ka që Biblioteka Kombëtare të ketë një çmim”, tha ndër të tjera drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Përgjatë gjithë vitit 2020 në Bibliotekën Kombëtare dhe jashtë saj do të organizohen një sërë aktivitetesh si ekspozita dhe debate rreth problematikës së librit dhe sfidat në kohët moderne./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!