100 mln euro për 10 vjet, tjetër koncesion për hidrokarburet

schedule17:25 - 1 Mars, 2021

schedule 17:25 - 1 Mars, 2021

Nga Erblina Mile

Qytetarët shqiptarë pritet të paguajnë një tjetër tarifë shtesë në çmimin e karburanteve.

Vetëm disa javë para zgjedhjeve të 25 prillit qeveria ka marrë që vendim që i paraprin një tjetër koncesioni në fushën e hidrokarbureve.

Vendimi i cili  është marrë disa muaj më parë është publikuar në fletore zyrtare së fundmi dhe parashikon që të shtohet një tjetër shërbim për monitorimin e transaksioneve në fushën e hidrokarbureve.

Ky shërbim parashikon që të monitorohet lëvizja  e sasisë së karburanteve që nga importi deri në shitjen tek konsumatori final.

Ky koncesion vlerësohet se do të arrij një vlerë prej 100 mln eurosh ndërsa do të ofrohet vetëm nga tre kompani të cilat duket se janë paracaktuar.

Ky shërbim parashikohet si një domosdoshmëri në kuadër të procesit të fiskalizimit dhe do të ketë një afat 10 vjeçar.

Përfaqësues të sektorit të hidrokarbureve deklarojnë se ata nuk janë njoftuar më parë në lidhje me këtë vendim ndërsa theksojnë se kjo do të jetë një tjetër kosto shtesë që do të shkarkohet te qytetarët pavarësisht se ende nuk kanë  asnjë përllogaritje për pajisjet që duhet të përdorin apo vlerën e tyre.

Aktualisht shqiptarët paguajnë  më shtrenjtë për një litër naftë nëse e krahasojmë me vendet e tjera në Europë apo rajon.

Madje çmimi i karburanteve është kthyer edhe në një pikë të nxehtë debati  në deklaratat elektorale.

Një qytetar paguar rreth 112 lekë vetëm taksa në një litër naftë dhe nëse një shërbim i tillë miratohet atëherë do të kemi një tjetër tarifë shtesë duke rënduar qytetarët por edhe bizneset.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!