Drejtuesi Politik i Qarkut Durrës, Edi Paloka u takua me banorët e zonës Kodër Arapaj, duke u garantuar atyre përkushtimin e plotë si deputet për zgjidhjen e problemeve.
“Unë kam qenë deputet në disa zona dhe premtime nuk kam bërë shumë, por punë kam bërë shumë. Kështu që ajo që ju garantoj është pikërisht kjo, bashkërisht do të zgjidhim hap pas hapi çdo problem.”
Gjithashtu Paloka u ndal dhe në audiot e bëra publike nga gazetari Artan Hoxha në të cilat Artan Lame flet mbi legalizimet që mbahen pezull deri një moment të dytë pas zgjedhjeve.
“Kryeministri urdhëron drejtorin e tij që të mashtrojë shqiptarët duke iu thënë se do t’u legalizojë shtëpitë, ndërkohë që në plan e ka për t’i prishur. I nxori fëmijët jashtë në 5 të mëngjesit me gaz lot-sjellës dhe u prishit shtëpitë. Po i them këto vetëm për të kujtuar disa nga bëmat e kësaj qeverie.”
Paloka i ftoi qytetarët që me datë 25 prill të votojnë Partinë Demokratike për të t’u dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjidhin problemet e krijuara, sipas tij, prej qeverisjes së Ramës. /abcnews.al/