10 fshatrat në Poliçan drejt izolimit, banorët: Duam rrugën dhe urë

schedule12:58 - 3 Janar, 2021

schedule 12:58 - 3 Janar, 2021

Fshatrat e ish komunës së Tërpanit, në bashkinë e Poliçanit janë drejt izolimit të plotë. Vokopolë, Dodovec, Balaj, Liqeth etj, janë izoluar si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe banorët nuk arrijnë të lidhen me qendrat e qyteteve dhe rrugën nacionale.

Edhe e vetmja urë që shërbente për lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve tashmë është drejt degradimit. Ura e vendosur mbi Lumin “Uji i Zi” është totalisht e shkatërruar. Dërrasat që përbëjnë bazën e urës janë tërësisht të kalbura dhe rrezikshmëria është e madhe për kalimtarë dhe automjetet.

Rruga për të shkuar në këto fshatra është më shumë se 20 km dhe është e amortizuar, ndërsa në mot me shi bëhet pothuajse e pakalueshme.

Banorët e këtyre zonave shprehen se, e kanë tepër e vështirë për të kaluar në këto rrugë, por janë të detyruar pasi nuk kanë mundësi tjetër. Ata deklarojnë se, gjatë muajve të verës, kur edhe prurjet e lumit janë të pakta, kalojnë në këmbë ose me mjete, ndërsa në muajt e dimrit kur prurjet janë më të mëdha izolohen totalisht nga pjesa tjetër e zonës.

Ndërsa drejtuesit e mjeteve zgjedhin të kalojnë nëpër lumë, shpesh banorët zgjedhin të rrezikojnë duke ecur në këtë urë me trarët pothuajse të kalbur, ndërkohë që mungesa e një ure të qëndrueshme ka penguar edhe bizneset të transportojnē prodhimet e tyre në qytet.

“Kemi disa vite që e vuajmë problemin e rrugës,ndërsa ura e cila u ndërtua disa vite më parë është pothuajse e degraduar. Të gjitha pjesët janë të kalbura dhe rrezikohemi të biem në lumë. Shpesh kalojmë lumin në këmbë, por gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit prurjet e lumit janë të mëdha dhe lumi bëhet i pakalueshëm e tepër i rrezikshëm. Mungesa e urës po na çon drejt izolimit si fshat”,-shprehet Sheme Balliu,banor i fshatit Vokopolë.

“Problem e kemi gjatë stinës së reshjeve,shpesh ngelemi të izoluar me muaj të tërë,ndërsa kemi pasur edhe të sëmurë që i kemi transportuar me vështirësi në spitalin e Beratit”,-tregon i riu Mariglen Meçaj.

Drejtoria e Shërbimeve pranë Bashkisë Poliçan shprehet se, ka një projekt për sistemimin e rrugës që lidh fshatrat e Tërpanit me qendrën e qytetit dhe rrugën nacionale por sipas bashkisë projekti pritet të financohet.

Deri në vënien në jetë të këtij projekti banorët e fshatrave të njësisë administrative Tërpan rrezikojnë të mbeten të izoluar, nëse nuk do të zgjidhet përfundimisht problemi i infrastrukturës si dhe sistemimi i urës që lidh këto fshatra mes tyre dhe me qytetin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!