1 biznesmen dhe 3 persona nën akuzë për vrasjen e gazetarit sllovak

schedule23:10 - 21 Tetor, 2019

schedule 23:10 - 21 Tetor, 2019

Një biznesmen me lidhje të forta politike dhe 3 persona të tjerë do të përballen në gjykatë me akuzën e vrasjes së një gazetari sllovak dhe të fejuarës së tij, vitin e kaluar. Kjo ngjarje u pasua me dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico dhe disa demonstrata në shenjë proteste ndaj ekzekutimit të tij.

Autoritetet sllovake ngritën këtë të hënë akuza ndaj një biznesmeni të njohur si dhe tre personave të tjerë të dyshuar për vrasjen e një gazetari dhe të fejuarës së tij vitin e kaluar, ngjarje që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico.

Sipërmarrësi me lidhje politike Marian Kocner dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar të tij, u deklaruan të pafajshëm. Një i dyshuar i katërt pranoi se ka qëlluar ndaj gazetarit Jan Kuçiak dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova. Ndërkohë një person i pestë ka pranuar se ka ndihmuar për të kryer vrasjen. Ai ka bërë një marrëveshje me prokurorët duke pranuar fajin dhe po shërben si dëshmitar në procesin ndaj katër të tjerëve mbi të cilët rëndojnë akuzat për vrasje.

Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit të shtetit, e cituar nga Zëri i Amerikës, tha se 4 të dyshuarit mund të përballen me burgim të përjetshëm për gjashtë akuza, përfshirë vrasjen me paramendim. Njoftimi nënkupton përfundimin e fazës hetimore të çështjes, e cila është parë si një provë për policinë sllovake dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Vrasja e Jan Kuçiak-ut nxiti demonstrata masive kundër korrupsionit vitin e kaluar dhe detyroi kryeministrin Fico të japë dorëheqjen, pas rreth 12 vitesh në këtë pozicion. Zbulimi i lidhjeve mes biznesmenit Koçner dhe zyrtarëve të sigurisë të cilat u ekspozuan gjatë hetimit çuan në dorëheqje të tjera gjatë javëve të fundit. 27-vjeçari Jan Kuçiak dhe fejuara e tij Martina Kusnirova u qëlluan në shtëpinë e tyre në ndodhej në periferi të kryeqytetit, Bratislavë në shkurt të vitit 2018. Prokurorët thanë se biznesmeni Kocner, subjekt i një materiali investigativ lidhur me një çështje korrupsioni që po përgatiste gazetari Kuçiak, kishte porositur vrasjen gjë që biznesmeni e ka mohuar./ABC News Albania