TIRANË- Finalizohet operacioni policor i koduar “SCAMS”. Gjatë këtij operacioni është goditur një tjetër Call Center në Tiranë, që shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive.
Në pranga është vënë administratori i subjektit dhe një shtetas tjetër të cilit në banesë iu gjetën 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kundërligjshme.
ABC News mëson se janë arrestuar, Kejsi Përgjegji, dhe Marjus Hysa.
Gjithashtu janë proceduar 38 shtetas të punësuar në call center. Nga ky operacion janë sekuestruar gjithsej 106710 euro dhe 700.000 lekë të rinj, 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara.
Sipas policisë, në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.
Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P. dhe M. H.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/abcnews.al/

