Në lidhje direkte me ABC e Mëngjesit, ekonomistja Driada Sopi ka rrëfyer një histori jashtë çdo norme, ku disiplina, sfida personale dhe përballja me ekstremet e të ftohtit janë kthyer në stil jete.
Prej dy vitesh, çdo mëngjes, Driada nis ditën me dushe të ftohta dhe zhytje në ujë me temperatura nën zero, duke arritur deri në -28 gradë Celsius. Një ritual që nuk ka ardhur rastësisht, por pas shumë leximi, studimi dhe përgatitjeje.
“Në fillim më është dashur shumë lexim, që të kuptoja çfarë po bëja dhe të mos rrezikoja shëndetin tim”, shprehet ajo. Hapat kanë qenë gradualë: fillimisht dushe të ftohta në banjo, më pas zhytje në një “kosh” të posaçëm, të cilin e ka blerë vetë dhe e ka përshtatur sipas trupit të saj. Temperatura më e lartë ku është larë? Vetëm 4°C.
Në fillim, kjo sfidë ishte e fshehtë. “Futesha në banjo dhe nuk i tregoja askujt çfarë po bëja,” tregon Driada. Diferenca mes dushit dhe zhytjes është drastike: “Në dush të ftohti vjen ngadalë, ndërsa kur zhytesh, e merr ‘shok-un’ direkt.”
Sot, rutina e saj është e pandryshueshme: zgjim në orën 4 ose 5 të mëngjesit dhe 2 minuta zhytje çdo ditë në ujë akull. Jo gjithmonë është e lehtë. Ka ditë kur përton, ditë kur ndihet e lumtur, gjithçka varet nga gjendja emocionale. Por rituali nuk thyhet.
Për një vit rresht, Driada i ka shtuar edhe një tjetër sfidë: 2 minuta “plank” çdo ditë, madje edhe në kushte ekstreme. Sfida më e fortë? “Plank” në -19°C, në mes të borës.
“Kjo u mundësua nga përgatitja ime e përditshme me ‘ice bath’. Trupi dhe mendja ime rezistuan më shumë”, thotë ajo.
Sfida “Plank, kudo – kurdo” e ka çuar edhe në vende të pazakonta. Së shpejti, çudia e radhës: plank në opera.
Pas kësaj disipline të hekurt fshihet edhe një histori transformimi personal. Driada ka humbur 32 kilogramë, një betejë që nisi si nevojë për t’u ndjerë mirë me trupin e saj. Sot, ajo balancon aktivitetin fizik, ekspozimin ndaj të ftohtit dhe një stil jetese të qëndrueshëm.
Edhe familja ka pasur dyshime. “Kam pasur debate me prindërit, derisa ua shpjegova. Ata lexuan dhe u bindën që ishte diçka e shëndetshme”, rrëfen ajo.
Nga Kosova në Kazakistan, Driada ka zgjedhur që edhe jetën profesionale ta lidhë me të ftohtin. Prej 10 muajsh jeton mes dy vendeve, pasi iu ofrua një vend pune. “E zgjodha edhe prej klimës. Më pëlqejnë vendet e ftohta. Për mua ishte perfekte.”

