“Zhvatja”, në përgjime pretendohet edhe emri i Zaev

15:45 | 10/08/201915:450

Gazeta italiane “La Verita’” ka publikuar videon e tretë të aferës “Zhvatja”, që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë, në bisedën mes të dyshuarit Bojan Jovanovski dhe biznesmenit Orçe Kamçev përmendet edhe emri i kryeministrit Zoran Zaev.

Edicioni i internetit i gazetës italiane “La Verita” edhe sot ka publikuar xhirime të bisedave mes të dyshuarve në rastin “Zhvatja”. Në xhirimet e sotme bisedohet për procedurat për lëndën ‘Perandoria” të Prokurorisë Speciale Publike ku është i dyshuar biznesmeni Orce Kamçev.

Në një bisedë kyçet edhe Prokurorja Speciale Katica Janeva, e cila në bisedë e sipër sqaron disa procedura gjyqësore. Bojan Jovanovski dhe biznesmeni Kamçev në një pjesë të xhirimit përmendin edhe Kryeministrin Zaev, kurse Jovanovski paralajmëron se do të takohet me të dhe do të provojë ta imponojë Kamçevin. Por, nuk ka detaje ku dhe kur do të organizohet ky takim.

Kryeministri Zoran Zaev ashpër i ka hedhur poshtë lidhjet me Bojan Jovanovskin, të dyshuarin në aferën “Zhvatja”. Siç thotë, në publikimin më të ri, disa nga të dyshuarit përmendin dhe keqpërdorin emrin e tij. Po thuhen gënjeshtra me qëllim që njëri bashkëbisedues ta përforcojë pozitën e tij të fuqisë dhe autoritetit para bashkëbiseduesit tjetër – thotë Kryeministri duke përgënjeshtruar informacionet përçfarëdo bashkëpunimi apo komunikimi me të dyshuarin Jovanovski. Duket se mediat serbe shfaqin interesim të shtuar për aferën më të re në Maqedoninë e Veriut.

Do të bien shumë politikanë, kam dëshmi për kreun shtetëror. Këtë në polici e ka thënë i dyshuari Bojan Jovanovski – shkruan në edicionin e sotëm gazeta serbe Kurir. Siç transmeton kjo gazetë, Jovanovski ka thënë se nëse i ndodh diçka në burg, ai ka dëshmi të sigurta tek nëna e tij dhe në adresë tjetër, me të cilët, siç thuhet, do të shkaktojë “tërmet politik” në Maqedoninë e Veriut, çka do të shkaktonte rënien e Qeverisë.

“Bombat” e reja vazhdojnë ta tronditin opinionin në Maqedoninë e Veriut, kurse pas publikimeve të mëparshme të bëra nga Ilija Gromovnik nga Rusia dhe El Cheka nga SHBA-të në opinionin e këtushëm imponohet pyetja nëse “bombat” janë rastësi apo gjithçka bëhet për ndonjë qëllim.

Simptomatike – siç thonë mediat e Shkupit është se këto përgjime publikohen në një gazetë italiane, që pretendohet se është e afërt me të djathtën, menjëherë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi luftë të hapur me mediat e vendit që shpërndajnë lajme të rrejshme. “Bombat” e fundit që shpërthyen në Maqedoni, disa prej tyre edhe nga Rusia, sipas vlerësimeve të ekspertëve kanë një mesazh të fshehtë dhe mund të interpretohen si përpjekje për t`i bërë obstruksione anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono