Zgjerohet harta e vatrave me narkotikë në jug të Shqipërisë

19:42 | 05/08/201919:420

Operacionet e Policisë së Gjirokastrës po zbulojnë vatra të reja të mbjella me bimë narkotike në jug të Shqipërisë. Në harkun e një jave policia ka njoftuar për tre raste të reja narkotikësh ndërkohë që kultivimi ka prekur zonat nga brezi kufitar me Greqinë në zonat e thella të Përmetit, Tepelenës, Këlcyrës dhe Memaliajt.

Për herë të parë pas pesë vitesh kultivimi i marijuanës është rikthyer kohët e fundit edhe në fshatin Lazarat të Gjirokastrës ku policia ka proceduar penalisht disa persona.

Ndryshe nga vitet e tjera policia nuk ka dhënë detaje për numrin e bimëve të shkatërruara në shumë zona, por në disa raste ka njoftuar se ka bërë ndalime personash që akuzohen për kultivim të marijuanës.

Takimet e njëpasnjëshme të policisë më njësitë vendore edhe këtë vit nuk kanë mundur të frenojnë kultivimin e marijuanës në këtë qark që njihet nga më problematikët në gjithë vendin, vitet e fundit.

Shumica e marijuanës që kultivohet trafikohet drejt Greqisë fqinje për shkak edhe të afërsisë së zonave kufitare.

Vetëm muajin korrik policia greke e Janinës ka bllokuar në zonat kufitare me Shqipërinë dhjetëra kilogramë marijuanë dhe ka arrestuar 7 persona.

Një rast trafiku u godit ditët e fundit edhe në Pikën Kufitare të Qafëbotës në Sarandë, në kufi me Greqinë, në anën shqiptare, ku policia zbuloi një sasi të madhe narkotikesh dhe arrestoi një person.

Trafiku i narkotikëve në rajon ka fuqizuar grupet kriminale të cilat merren me organizimin e kultivimit dhe trafikimin drejt vendeve fqinje. Sipas vlerësimeve të policisë shqiptare trafiku i narkotikëve mbetet edhe krimi ndërkufitar më i përhapur në zonën mes Shqipërisë dhe Greqisë fqinje.

Krahas forcave policore kufitare shqiptare në këtë zonë prej gati dy muajsh po vepron edhe misioni FRONTEX me synimin për të frenuar trafikun e drogës dhe refugjatëve dhe bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për të goditur rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të trafiqeve./VOA

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono