Zgjerimi i BE-së, Merkel kundër Macron

19:00 | 05/07/2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar presidentin francez Emmanuel Macron sa i takon çështjes së zgjerimit të BE-së. Për Merkel, Unioni nuk duhet të heqë dorë nga negociatat e anëtarësimit me vendet aspirante. Në të njëjtën linjë, komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn ka deklaruar se në Ballkan nuk duhet të krijohen vakume.

Gjermania deklaroi të premten se Bashkimi Europian duhet të vazhdojë bisedimet e anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shprehur shpresën se ato do të bëjnë mjaftueshëm progres për të arritur anëtarësimin. Me këtë qëndrim Gjermania doli kundër pozicionit të Francës, se BE nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj pa zgjidhur më parë problemet e brendshme të tij.

“Ndaj të njëjtin këndvështrim me presidentin Macron se BE duhet të përmirësojë mekanizmat e tij, por nuk e shoh këtë si një argument për të braktisur negociatat e anëtarësimit”, deklaroi kancelarja Angela Merkel nga samiti i Poznanit në Poloni. Në qershor, qeveritë e vendeve anëtare dështuan të merrnin një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ato ranë dakord për të marrë një vendim të qartë dhe domethënës vonë në tetor, por presidenti Macron insistoi se blloku europian duhet më parë të gjejë mekanizma më të mirë për të gjetur konsensus mes vendeve anëtare ekzistuese. “Pres me optimizëm vendimin e vjeshtës”, tha më tej Merkel, duke iu referuar kryesisht Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën linjë, edhe komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn tha për agjencinë “Reuters” se nuk do të ishte e drejtë të ndaleshin negociatat e anëtarësimit. “Këtu është në lojë besueshmëria e BE-së. Nuk duhet të krijojmë vakume në rajon, që mund të mbushen nga konkurrentët tanë si Rusia, Turqia dhe Kina”, tha Hahn./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono