Zgjedhjet e 30 Qershorit, reagon BE-ja dhe SHBA-ja

23:51 | 01/07/201923:510

Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe reagimet e institucioneve të tjera ndërkombëtare. Zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç thotë për Abc Neës se procesi ka qenë i rregullt, pavarësisht polarizimit politik. Ndërsa ambasada e SHBA-së, e akredituar në Tiranë, sugjeron për të gjithë ata që kanë kontestime që të presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për të bërë ankimimet e tyre.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara  e vlerësojnë procesin zgjedhor të 30 Qershorit të qetë e të rregullt, por vënë në dukje se ky proces ka qenë i polarizuar politikisht.

Në një prononcim për ABC News, zëdhënësja e BE, Maja Koçijanciç, e vlerëson procesin zgjedhor, pavarësisht situatës politike në të cilën u mbajt.

“Zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e 30 qershorit u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë e të rregullt. Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR. Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit”.

Më tej, Koçijançiç bën thirrje për dialog urgjent mes palësh si dhe për çuarjen përpara të reformës zgjedhore.

“Qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike. Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë në tërësi procesin e 30 Qershorit edhe pse, vënë në dukje se ngërçi politik bëri që të mos kishte zgjedhje në kuptimin e plotë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë thirrje drejtuesve politike të respektojnë shtetin ligjor, ndërsa për të gjithë ata që e kontestojnë rezultatin, vjen ky apel.

“Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”.

Në fund, SHBA shprehin gatishmërinë dhe përkushtimin për të ndihmuar Shqipërinë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono