Zgjedhja e presidentes së KE-së, debate në Parlamentin Evropian

15:54 | 16/07/201915:540

Sot në orën 18:30 do të zhvillohet votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian. Për t’u konfirmuar në krye të këtij Komisioni, kandidatja Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në debatin që është zhvilluar eurodeputetët duken të ndarë në qëndrimin e tyre.

Parlamenti Europian është treguar tërësisht i përçarë para kandidates të përzgjedhur nga liderët europianë për presidente të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Fjalimi në seancë plenare i Von der Leyen ishte më i mirë se javën e shkuar, por jo mjaftueshëm bindës për përballjen e sfidave që Bashkimi Europian ka përpara për 5 vitet e ardhshme. Masat e propozuara nga Von der Leyen për ndryshimet klimaterike janë thjesht objektiva, por jo aksione, ndërkohë që për Europën sociale dhe një ekonomi të qëndrueshme  ajo është treguar e vagët. E ndërgjegjshme, se rrezikon të mos marrë votën e shumicës së eurodeputetëve, Von der Leyen është munduar të nxjerrë në pah aspektin human.

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente të Komisionit Europian: Ne duhet të përpiqemi më shumë për ndryshimet klimaterike. Një qasje me dy etapa nevojitet për reduktimit me 50% në mos 55% të ndotjeve të dioksidit të karbonit në vitin 2030. Ne jemi krenarë për ekonomikë tonë, duam ta forcojmë atë, por ka gjithashtu një logjikë të thjeshtë në këtë. Nuk janë qytetarët që i shërbejnë ekonomisë tonë, por ekonomia që i shërben qytetarëve tanë. Për modelin tonë të ekonomisë sociale, ne duhet të gërshetojmë aspektin e tregut me aspektin social. Jam në favor të një rroge minimale në Europë dhe për një taksim të drejtë. Do të propozoj një pakt të ri për migracionin dhe azilin, duke përfshirë edhe rilançimin e reformës së Dublinit. Kjo do të na mundësojë rikthimin në një zonë Shengen tërësisht funksionale të lëvizjes së lirë që përbën çelësin për prosperitetin, sigurinë dhe lirinë tonë. 4 vjet më parë unë prita një refugjat nga Siria në shtëpinë time. Ai nuk fliste gjermanisht dhe ishte tërësisht i brengosur nga situata e luftës civile në Siri. Sot, 4 vjet më pas, ai flet shumë mirë gjermanisht. Është një lider i komunitetit të tij për arsimin gjatë ditës  dhe një student i shkollës së lartë në mbrëmje.

Edhe pse Urusla von der Leyen intrigon si një kandidature femër për herë të parë në krye të Komisionit Europian, nuk bind ende të zgjedhurit e popullit. Ata i kanë rezervuar asaj një breshëri kritikash. Përveç grupimit të Partive Popullore Europiane dhe të pesë yjeve, grupimet e tjera jo vetëm që kanë vendosur pikëpyetjen për votën pro, por disa prej tyre kanë shprehur hapur votën e tyre kundër. Grupimi i gjelbër, i të majtës radikale kanë deklaruar se nuk do të votojnë Ursula von der Leyen, ndërkohë që socialdemokratët janë në mëdyshje.

Manfred Weber, kryetar i PPE-së: Liderët europianë kanë dëmtuar procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve ditët e fundit, por nuk besoj, se mund t’i rregullojmë gjërat, duke shkaktuar një dëm edhe më të madh. Europa duhet të jetë e zonja të veprojë tani. Europa duhet të jetë stabile. Ndaj, siç grupimi im mbështeti presidentin e ri të Parlamentit Europian, David Sassoli, ashtu pres nga grupimet e tjera, që të mbështesin si ne Ursula Von der Leyen në krye të Komisionit Europian.

Iratxe García Pérez, kryetare e S&D: Ne jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe nuk synojmë ta çojmë Europën drejt një krize institucionale aq më pak kur Europa ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ne duam të sigurohemi, se Europa do të jetë e zonja që të ndërmarrë masat që nevojiten të merren. Ndaj, grupimi ynë do të marrë një vendim këtë pasdite duke menduar se cila është zgjidhja më e mirë për Europën.

Dacian Ciolos, kryetar i Reniew (liberalët): Nëse ju do konfirmoheni në krye të Komisionit Europian dhe shpresoj që kjo të ndodhë, ju shpesh do dëgjoni, që shumë ndryshime nuk mund të bëhen. Por ne kemi nevojë për këto ndryshime, për një Europë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe në respekt të klimës.

Philipe Lamberts, kryetar i Greens: Ju folët për paktin për emigracionin. Ky pakt ekziston dhe është votuar nga shumica e Parlamentit Europian. Mos të bëjmë sikur po shpikim gjëra të reja. Merr propozimin tonë dhe lufto për të në Këshillin e Ministrave. Për shtetin ligjor, gjuha juaj është e fortë, por propozimet mbeten shumë të vagëta. Ne duhet të respektojmë shtetin ligjor kudo dhe jo të tolerojmë dhunimin e lirive europiane dhe të ndarjes së pushteteve në disa shtete anëtare siç është rasti i Hungarisë dhe Polonisë. Ne na duhet një ndryshim total për klimën, Europën sociale dhe ambientin, ndërkohë që ajo që propozoni juaj është një ndryshim në sipërfaqe me ide të vagëta. Ju e kuptoni që grupimi i gjelbër tani nuk mund t’ju mbështesë.

Jörg Meuthen: Kam respekt për ju si person, por ne e kemi shqyrtuar me kujdes letrën tuaj dhe konsiderojmë, se ju nuk përmbushni kriteret për këtë post. Së pari, ne gjermanët, kemi parë eksperiencën tuaj si ministre e Punës për Çështjet Sociale, apo ministre e Mbrojtjes. Në asnjë prej këtyre posteve nuk i keni shërbyer interesit të qytetarëve gjermanë dhe as keni qenë në lartësinë e punës. Nuk dua të bëj një listë të të gjitha dështimeve tuaja, por ju jeni një politikane tipike që bën premtime boshe me qëllimin e vetëm për të arritur shumicën e votave në Parlamentin Europian. Ne nuk shohim asnjë tregues që ju mund ta bëni më mirë detyrën e presidentes së Komisionit Europian, se detyrat tuaja të mëparshme. Ndaj vota jonë është kundër.

Rafaelle Fitto, bashkëkryetar i grupimit ECR: Ka sërish disa çështje, ku ne presim të kemi përgjigje të qarta nga ju. Kjo do të na ndihmonte që të marrim një vendim në fund të pasdites.

Martin Schirdewan (GUE): Mendoj, se vizioni ynë për Bashkimin Europian, si një Europë sociale, e bazuar në drejtësi, paqe dhe respekt për klimën nuk përputhet me vizionin që parashtruat para nesh. Ndaj, fatkeqësisht, vota jonë do jetë kundër.

Nigel Farage: Ajo që keni parë sot është një tentativë për Bashkimin Europian për të kontrolluar çdo aspekt të jetës tonë. Von der Leyen do që të ndërtojë një Bashkim Europian të centralizuar, jodemokratike, të vjetërsuar të komunizmit. Me këta njerëz, brenda 5 vjetësh, Europa e mbrojtjes do të plotësohet. Do të shërbejë për mbrojtje, por edhe mund të përdoret për sulm. Dhe ju nuk do të mund ta kontrolloni këtë si Parlament Europian. Votoni kundër kësaj kandidature.

Votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian do të kryhet në orën 18:00 dhe pritet të bëhet publik në 19:30. Për t’u konfirmuar në krye të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në rast të kundërt, vendimi kthehet mbrapsht në tryezën e liderëvë europianë për një tjetër kandidaturë./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono