Zbardhet vendimi i “Kushtetueses” për shtyrjen e datës së zgjedhjeve

22:06 | 10/06/2019

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndikim në situatën e krijuar pas dekretit të presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe në rast se ajo do të ishte funksionale, nuk do të kishte kompetencë për ta shqyrtuar dekretin e kreut të shtetit.

Kjo për faktin, se vetë kjo Gjykatë, në një rast të ngjashëm, atë të vendimit të presidentit Bujar Nishani për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nga 18 qershori në 25 qershor,  pas një ankimimi të bërë nga partia “Forca Rinia”, ka vendosur që kompetencën për ta shqyrtuar çështjen e ka gjykata Administrative.

Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.

Edhe për rastet e pretendimeve se dekreti i presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve mund të bjerë ndesh me Kodin Zgjedhor, gjykata thotë çështja shqyrtohet në gjykatën administrative ose në Kolegjin Zgjedhor.

“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”.

Me argumentet e mësipërm, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos e marrë në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, duke i dhënë përgjigje shteruese çështjes se kush janë institucionet gjyqësore që duhet të japin përgjigje për këto raste./ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono