Zbardhet padia, Rama: Haradinaj ka shpifur, nuk jam shprehur pro shkëmbimit të territoreve

23:05 | 15/01/202023:050

Kryeministri Edi Rama ka paditur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj. Rama pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj tij sa i përket tezës së shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi, që është publikuar nga media në Kosovë, Rama kërkon konpensim të dëmit moral si dhe detyrimin e Haradinajt të përgënjeshtrojë deklaratat në lidhje me shkëmbimin e territoreve. (Reagon Haradinaj: Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot)

Në këtë padi, përmenden dy emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuciçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, thuhet në padi.

Në padi thuhet se deklaratat shpifëse shkak padie kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e që, në parim, sic thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

“Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhëti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë””, thuhet tutje në këtë padi, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Aty përmenden një numër i madh të deklaratave që Haradinaj vazhdimisht i ka dhënë, e në të cilat e ka apostrofuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Pjesë e këtyre deklaratave është edhe ajo ku Haradinaj, sipas padisë, i referohet edhe aferave korruptive, për ta jetësuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

Në padi thuhet se ky qëndrim në vazhdimësi i Haradinajt është mbajtur përkundër fakteve që sipas padisë, Rama asnjëherë nuk ka diskutuar për tema të tilla.

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet ndër të tjerash në këtë padi.

Në këtë padi, Rama nuk e ka cekur shumën e dëmit që pretendon se i është shkaktuar.

Por, me padi, ai ka kërkuar që përveç kompensimit të dëmit, të detyrohet Haradinaj që t’i dal deklaratat që sipas padisë, janë shpifje, si dhe t’i përgënjeshtroje ato.

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono