Zaev në Tiranë, apelon për dialog qeveri-opozitë

12:37 | 13/03/2019

Për herë të parë pas ndërrimit të emrit, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai u prit në një ceremoni nga kryeministri i vendit Edi Rama në Pallatin e Brigadave.

Pas takimit të dy delegacioneve, mesazhet e tyre Rama dhe Zaev i dhanë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut apeloi për dialog mes qeverisë dhe opozitës si rruga që siguron të ardhmen europiane të vendit. Mesazhin më direkt Zoran Zaev e kishte për opozitën shqiptare për të cilën solli shembull kohën kur vetë ishte në pozicionin e saj.

Unë si Zoran Zaev, nuk isha opozitë para 21 vitesh, por isha opozitë para 21 muajsh, por asnjëherë nuk lejuam që të japim përshtypjen para institucioneve evropiane se jemi kundër fillimeve të bisedimeve të vendit tonë me BE-në pa marrë parasysh nëse jemi opozitë apo pushtet, vetëm të plotësojmë qëllimin. Gjithmonë kur flisja me liderët europianë lusja për vendimin tim që të jepej data e bisedimeve pasi ky ishte qëllim i vendit tim, pa dallim të konfrontimeve të brendshme si shtet”, tha Zaev.

Ndërsa kryeministri Rama në përgjigje të interesit të gazetarëve foli për rrezikun rus që mund t’i vijë vendit me cenimin e asaj që tha se Shqipëria ka axhendë kombëtare, integrimin në Bashkimin Europian.

“Rusia nuk është një vend tifoz i BE, i zgjerimit të BE dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë e asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret, kjo dihet. Ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare me kryefjalë bashkimin në familjen e BE. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i BE dhe integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa dyshim që shikon një oportunitet”, tha Rama.

E ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor presin Bashkimin Europian të shprehet për anëtarësimin e tyre, kryeministri Rama përsëriti idenë e aplikimit të një modeli “Shengen” të ngjashme me atë që po tentohet fillimisht me Kosovën brenda rajonit.

“Ne e kemi nisur jë proces me Kosovën. Për fat të keq i keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Shengen, por që për ne është vetëm zanafilla e një procesi që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin dhe që ne kemi vullnetin ta materializojmë në radhë të parë me fqinjët tanë. Jo vetëm ne Kosovën, me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Malin e Zi. Me urimin dhe me bindjen që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces dhe kufijtë mes vendeve tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë mes vendeve të BE-së”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama i shprehu mirënjohjen kryeministri Zaev lidhur me zbatimin e ligjit të gjuhëve nëe Maqedoninë e Veriut që sipas tij ka çelur rrugën e një harmonie të munguar dhe të domosdoshme. Temë diskutimesh mes dy homologëve ishte dhe bashkëpunimi ekonomik mes vendeve. Për të gjitha këto, kryeministri Rama sugjeroi mbajtjen e mbledhjes së dytë mes dy qeverive, por këtë herë tha se pret ftesën e kryeministrit Zaev.

“Sepse jeni ju që duhet të na mikëprisni dhe jeni ju që duhet të paguani shpenzimet e drekës. Por besoj që do keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet”, tha Rama./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono