Xhafaj: Në Elbasan operojnë 3 grupe kriminale, do t’ua nxijmë jetën


13:10 | 16/04/2018

Gjatë një takimi me qytetarë të Elbasanit për sigurinë publike, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se në Elbasan operojnë 3 grupe kriminale. Ministri ishte i drejtpërdrejtë, kur u shpreh se Policia e Shtetit do t’ua nxijë jetën kriminelëve në Elbasan, por edhe në të gjithë vendin.  

Fatmir Xhafaj: “Ne kemi këtu dy-tre grupe kriminale, të cilat i njohim shumë mirë. Po punojmë për to. Secila prej tyre duhet të jetë e qartë që policia do t’ua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë”.

Duke folur në këtë takim me qytetarët elbasanas, ministri i Brendshëm shtoi se, gjatë katër muajve të fundit janë goditur nëpërmjet “Forcës së Ligjit” 7 grupe të struktuara kriminale, dhe janë prangosur 100 anëtarë të tyre.

 Fatmir Xhafaj: “Brenda pak muajve ne kemi arritur të skedojmë të gjitha grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri apo e ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë vendit në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, rretheve gjyqësore apo dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda kemi mundur të godasim një pjesë të madhe të këtyre rasteve kriminale”.

Ministri pranoi se edhe në radhët e Policisë së Shtetit ka policë që nuk e meritojnë të shërbejnë nën uniformë. Por Xhafaj garantoi se Vettingu që ka nisur në strukturat e policisë do t’i largojë këta efektivë nga sistemi.

 Fatmir Xhafaj: Ne morëm një proces të tillë, që është vettingu në radhët e policisë, i ngjashëm me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe që është duke dhënë frytet e para dhe që është duke prodhuar drejtësinë që kjo mazhorancë është fokusuar fort”.

Sipas ministrit të Brendshëm, policia është para disa sfidave, ku proritet mbetet forcimi i policisë në komunitet./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono