Xhafaj nderon Policët: Vetingu, vija ndarëse mes paligjshmërisë

14:30 | 05/05/201814:300

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj këtë pesë maj zgjodhi të nderoi policët e rënë në krye të detyrës. Në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Sigurisë Xhafaj ndau policinë në drejtimin e tij me atë që gjeti para se të merrte detyrën, ndërsa u përpoq të qetësonte uniformat blu për procesin e vettingut.

Axhenda qeveritare për 5 Majin niste në orën dhjetë, por aktivitetet i filloi më herët ministri i Brendshëm. Fatmir Xhafaj nuk shkoi në “Varrezat e Dëshmoreve”, por pak metra larg tyre, në Akademinë e Sigurisë.

 “I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e Dëshmorëve të Atdheut! Kjo ditë është njëherësh edhe një moment reflektimi për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Qetësinë dhe sigurinë për jetën dhe pasurinë e qytetarëve në kohë të ndryshme, e kanë paguar me jetët e tyre edhe 222 punonjës policie. Askush nuk dëshiron që rendi dhe siguria të paguhen me jetë njerëzore, por për fat të keq, nuk është e mundur që fenomenet kriminale të ndalohen përveçse me kundërpërgjigje të forta dhe ndonjëherë mëse të kushtueshme.” 

Policia e Shtetit renditet e para ndër institucionet e vendit për besueshmërinë tha ministri i Brendshëm sipas të cilit edhe statistikat e kriminalitetit në vitin 2017 dhe katër mujorin e parë të këtij viti kanë rënë.
“Është pa asnjë dyshim meritë e punës dhe e sakrificës së strukturave të Policisë, që sot Shqipëria përfundimisht është një vend jashtë hartës së vendeve ku mbillet e kultivohet kanabis.

Është një vend ku organizatat kriminale kanë humbur qetësinë dhe komoditetin e të bërit të biznesit të tyre kriminal në vend. Në sajë të punës dhe të angazhimit të këtyre punonjësve sot Shqipëria është një vend ku ai që bënë një krim jo vetëm identifikohet, por edhe ndalohet edhe arrestohet thuajse menjëherë pas kryerjes së veprës kriminale.”


Ministri i Brendshëm iu tha efektivëve të policisë se procesi i vettingut nuk ka qëllim t’i penalizojë përmes dokumentave, ndërkohë që deklaroi se ka vullnet që të jete një proces objektiv dhe i barabartë.

“Dua të rikonfirmojë se ky proces nuk ka aspak si qëllim që nëpërmjet kleçkave procedurale të dokumentacionit që duhet të paraqitet në kuadër të këtij procesi ne të penalizojmë punonjës të policisë, të çdo niveli.
Ne synojmë që ky proces të evidentoj dhe të largojë nga radhët e policisë elementët, sidomos në nivele drejtuese, të cilët direkt ose indirekt janë të lidhur apo në shërbim të krimit, janë të korruptuar, apo edhe të paaftë profesionalisht.”
Përfitoi nga ky rast për të vënë një vijë ndarëse mes policisë nën drejtimin e tij dhe asaj që gjeti para se të merrte detyrën.

“Vettingu është e vetmja rrugë që shumica dërrmuese e kësaj trupe të çmuar, e cila ka shkëlqyer me cilësitë dhe meritat e jashtëzakonshme, të ndahet me vendosmëri nga ata që me veprimet e tyre të paligjshme e kanë njollosur uniformën, veprimtarinë dhe misionin e Policisë; nga ata që e përbaltën policinë, e braktisën dhe iu vetdorëzuan ilegalitetit dhe krimit. Këta janë ata që sot sulmojnë Policinë, me zë e me vepra, që u japin oksigjen grupeve kriminale. JO NE!”.

Minsitri i Brendshëm i tha punonjësve të policisë se do t’i mbështesë në përballjen me paligjshmërinë, ndërsa iu përgjigj dhe atyre që e kane shigjetuar.

“Një organizatë policie e qëndrueshme përballë fenomeneve negative si paaftësia, korrupsioni apo lidhjet e mirëfillta me krimin, përbën një garanci për të sotmen dhe të ardhmen e rendit, qetësisë dhe sigurisë në atdheun tone te dashur.

Është mënyra që ne kemi zgjedhur për të punuar dhe për të renditur numrat që më shumë na interesojnë: ato të sukseseve të njëpasnjëshme që Policia e Shtetit ka shënuar dhe vazhdon të shënojë. Të tjera spekulime, ngado që të vijnë, as që i përfillim”. /abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono