Vuçiç: Kosova nuk është as shqiptare dhe as serbe

16:23 | 03/01/2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se angazhohet për vendosjen e kufirit me Kosovën. Në një intervistë për mediat në Beograd, Vuçiç tha se mbështet zgjidhjen e problemit me një marrëveshje që do të pranohej edhe nga shqiptarët. Mospranimi i kompromisit, sipas tij do ta çonte Serbinë në tragjedinë më të madhe deri tani.

Në një intervistë të gjatë për portalin serb espreso.rs, presidenti Aleksandër Vuçiç ka theksuar nevojën që shqiptarët dhe serbët të arrijnë kompomisin e shumëpritur. Por, i pyetur se çfarë nënkupton termi korrigjim i kufirit, a nënkupton shkëmbim territoresh, jugun e Serbisë, përkatësisht Luginën e Preshevës, për Veriun e Kosovës, Vuçiç nuk ka dhënë ndonjë hollësi më shumë.

“Po ju them: Domethënë vendosje të kufirit mes nesh dhe shqiptarëve”, ka deklaruar presidenti serb duke iu përgjigjur edhe pyetjes se a nuk mendon se përcaktimi i kufirit nënkupton edhe njohjen e Kosovës.

“Prisni, prisni, unë po ju pyes, së pari nuk mendoj se kjo nënkupton këtë, kurse nga ana tjetër pyetja ime për ju është: a mendoni se kështu mundemi edhe 100 vjet? Pra, për të gjitha kam kundërpërgjigje që është shumë e lehtë. A dëshironi të zgjidhni problemin ose jo? Dëshironi t’ua lëmë fëmijve tuaj dhe fëmijve tanë, dëshironi që ata nesër të shkojnë nëpër istikame? Unë nuk do të doja që fëmija im të shkojë në istikame”, u shpreh ai.

I pyetur se çfarë marrëveshje mund të arrihet me Kosovën, presidenti Vuçiç, thotë se e mira do të ishte që marrëveshja të jetë e pranueshme edhe nga serbët edhe nga shqiptarët:

“Të kemi çfarëdo marrëveshje të cilën e pranojnë serbët dhe shqiptarët. Ajo sjell paqen. Ndryshe paqe nuk ka. Kuptojeni këtë! Njerëz, më kuptoni dhe të gjithë silluni me përgjegjësi dhe ta kuptoni se vetëm kjo është e mundshme”,  tha më tej ai.

Vuçic me këtë rast ka folur edhe për realitetin në Kosovë, duke bërë thirrje për njohjen e tij.

“E vërteta është se në Kosovë nuk është gjithçka shqiptare dhe e vërtetë është se në Kosovë nuk është gjithçka serbe dhe është e vërtetë se duhet të arrijmë kompromis. Ai i cili nuk e kupton këtë do ta çojë Serbinë në tragjedinë më të madhe nga e cila do të dalim të mundur, të mundur më keq se kurrë më parë. Nëse njerëzit nuk e kuptojnë këtë, dhe po shikoj se nuk e kuptojnë, unë këtë nuk e kam problem, por që unë të bëj politikë që në të ardhmen Serbinë ta fus në tragjedi më të mëdha, këtë nuk e dua”, theksoi Vuçiç.

Aleksandër Vuçiç në paraqitjen e tij të fundvitit ka thënë se nuk i frikësohet ushtrisë shqiptare dhe askujt tjetër dhe në këtë shtrirje, ka folur për investimet në modernizimin e ushtrisë. Ai tha se vetëm për blerjen e avionëve ushtarakë janë dhënë gati një miliard euro./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono