Vlerësimi i titujve akademikë, Rama: Veprojmë nëse nuk ka reagim

12:08 | 01/04/2019

Kryeministri Rama gjatë prezantimit të bibliotekës dixhitale universitare ritheksoi sërish rezervat e tij në lidhje me Universitetin e Tiranës.

Sipas tij është e pakuptueshme se pse biblioteka, si një kërkesë tjetër e plotësuar për studentët, mos të vihet në dispozicion të Universitetit të Tiranës për shkak se kjo e fundit është e papërgatitur nga pikëpamja teknologjike.

“Për të dyja këto ne kemi nevojë për mirëkuptim dhe bashkëpunim e universiteteve dhe është e pakuptueshme që biblioteka të mos vihet dot në funksion nga Universiteti i Tiranës sepse është i papërgatitur nga pikëpamja teknologjike, ashtu sikurse është e tmerrshme që Universiteti i Tiranës të jetë ende një vatër problematike si pasojë e teknologjisë dhe e vazhdimit të praktikave me dorë. Rektorati duhet të zgjidhe problemet dhe jo të merret ministria, pasi nuk ka asnjë shenjë minimale dhe personalisht rektorit të Universitet të Tiranës.

Unë e kam thënë dhe herë tjetër dhe nuk është sekret që për sa na takon ne kemi rezerve të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës dhe besoj që nuk them diçka të parakohshme sepse është koha për të adresuar inkompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit alarmante të konstatuar në raport edhe me çfarë gjithë ne jemi përpjekur të bëjmë për të adresuar të gjitha kërkesat e studentëve rektoratit të Tiranës. Është e papranueshme. Është koha ti referohemi Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të hapim një proces transparent për të adresuar këtë problem. Rektorati i Universitetit të Tiranës është vendi ku të adresohen problemet dhe të zgjidhen dhe jo të krijohen probleme. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te një kriter tjetër për vazhdimin e studimeve të larta. Gjatë fjalës së tij, ai tha se po diskutohet mesatarja që do të lejojë të hyhet ose jo në universitet.

“Nuk mund të vazhdojmë me mesatare 6 duke u dhënë të gjithëve të vazhdojnë studime të larta dhe pastaj të thonë duam Master falas, dhe në fund fare dalin siç hyjnë pa i dhënë asgjë tregut të punës. Duhet nga njëra anë të fuqizojmë pjesën cilësore dhe të krijojmë kushte për të tjerët që të marrin një zanat. Edhe te mesatarja do kemi një ndryshim, të cilin po e ndryshojmë për të përballuar edhe një aspekt tjetër, sepse vihet re një rritje artificiale e mesatares. Ky është një problem që nuk zgjidhet brenda një afati të shkurtër,por do të shohim si do të kombinojmë miq mirë rezultatin e provimeve me mesataren”, tha ai.

Kryeministri Rama ritheksoi dhe njëherë që duhet të përshpejtohet procesi i rivlerësimit të titujve akademikë. Sipas tij, kjo është detyrë e universiteteve dhe qeveria mund të jetë vetëm mbështetës i tyre. Megjithatë nëse nuk shohin që nuk ka reagim, Rama u shpreh se qeveria do të ndërhyjë.

“Na duhet të biem dakord që sharlatanët ti nxjerrim na universiteti unë nuk di fjalë tjetër për këta persona që hiqen si doktorë shkencash dhe profesorë. Nuk mundet dot të vazhdojë kjo histori. Ju lutem gjithë mirëkuptimin për të përshpejtuar procesin. Në Korçë ka nisur diçka e tillë. Lutemi që të fillojë puna në të gjithë universitetet për vlerësimin e titujve akademikë. Ne jemi në dispozicion me çdo gjë dhe për çdo gjë. Si mbështetës. Ne nuk përcaktojmë as metodën, as shpejtësinë, as qasjen që mund të zgjedhë universitetin. Por ne do të veprojmë në kushtet, kur do të shohim që nuk ka reagim”, tha kreu i qeverisë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono