Video/ Mustafa Nano: Pak vetë duhen për të përmbysur dynjanë

20:12 | 05/10/2018

Videoja në të cilën dy gra, viktima të dhunës seksuale në SHBA, i flisnin dhe i shfryheshin një senatori në SHBA është filmi edukativ për deputetët shqiptarë dhe për zgjedhësit e tyre sipas Mustafa Nanos.

Gjatë monologut të tij, Nano tregoi historinë e Jeff Flake. Ai është senator i republikanëve dhe për shkak të detyrës iu desh të merrte pjesë në seancën dëgjimore të Brett Kavanaugh, i zgjedhuri i Trump për Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Edhe pse ky i fundit është denoncuar se ka ushtruar dhunë ndaj një vajze kur ishte në gjimnaz, Flake vendosi të votonte në favor të tij.

Kur gratë filluan t’i hakërreheshin në ashensor, sipas Nanos, duhet shikuar me vëmendje qëndrimi i senatorit Flake.

“Vini re qëndrimin e senatorit përballë tyre. Ai rri me kokën ulur. Është i tulatur, i përulur, i ndrojtur gati i terrorizuar. Ato dy gra po i bënin gjyqin më të madh që i është bërë ndonjëherë në jetën e vet”, tha moderatori i “Provokacija”.

Ky është filmi edukativ për deputetët dhe zgjedhësit shqiptarë sipas Nanos.

“Sa më pëlqen kjo situatë. Është një film edukativ që unë do doja ta shihnin të gjithë deputetët tanë dhe kështu do kishin rastin të mësonin se si do silleshin me zgjedhësit e tyre. Por do doja ta shihnin dhe zgjedhësit për të mësuar se kanë gjithë të drejtën t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre, për të mësuar se të zgjedhurit, nuk janë padronët e tyre, përkundrazi ata janë vetë padronët e të zgjedhurve. Sepse deputeti prandaj është zgjedhur që të dëgjojë zërin e tyre, që të përfaqësojë interesat e tyre, që t’u bëhet krah njerëzve në hallet e tyre. Ky është lloji i deputetit që ne meritojmë”, u shpreh pas videos Nano.

Më tej, ai shtoi se menjëherë pas qëndrimit të grave, senatori Flake ndryshoi mendim dhe nuk votoi për Kanavaugh. Pas atij takimi senatori la mënjanë lojërat politike, besnikërinë ndaj partisë së tij dhe veproi në bazë të ndërgjegjes edhe pse në Nëntor rrezikon të humbasin zgjedhjet.

“Ja pra se çfarë është në gjendje të bëjë një deputet i vetëm. Ja se ç’janë në gjendje të bëjnë vetë, pak qytetarë. Vetëm pak vetë duhen për të përmbysur dynjanë! Më besoni në atë që them, duhen vetëm pak vetë”, thekson Nano./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono