Vettingu “trondit” gjyqtarin Admir Thanza, zbulohet dënimi për vjedhje në 1999

17:53 | 10/07/2018

Procesi i vettingut zbuloi një të fshehtë 19 vjeçare të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Në vitin 1999 ai është dënuar për “vjedhje” në Itali, dëmin që nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Hetimi i KPK-së zbuloi probleme edhe me pasuritë e gjyqtarit.

Para se të bëhej anëtar i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ajo që nuk dihej për gjyqtarin prej 26 vitesh në sistem  është fakti se të gjitha këto pozicione i ka mbajtur pasi ishte dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë nga gjykata e Pizas në Itali në vitin 1999 për një vjedhje në supermarket.

Detaji i pazakontë u bë publik gjatë seancës dëgjimore për Thanzën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për llogari të procesit të vettingut.  Vendimi i fajësisë, në të cilin vuajtja e burgut ishte pezulluar për gjyqtarin, ishte zbuluar dhe servirur për Komisionin nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Sipas KPK, gjyqtari Thanza kishte dijeni për këtë dënim të Gjykatës së Pizas, pasi kishte qene në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së tij, por nuk e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.

Gjyqtari pranoi dënimin, por këmbënguli se nuk e kishte kryer veprën. “Kurrë në jetën time nuk mund ta bej nje veprim të tille. Ishte një veprim i shëmtuar i kunatës. Mora persiper vjedhjen e saj në supermarket për të mbrojtur gjakun tim. Sakrifikova jetën time dhe karrierën për të shpëtuar nipin 9 vjeçar, që po kurohej në Itali nga një sëmundje e rëndë, pasi kunata ishte kujdestarja e tij dhe procedimi penal do ta kthente në Shqipëri”, tha Thanza i përlotur. Sipas tij, avokati italian kishte thënë se do të ishte dicka pa rëndësi. Edhe dëshmia e penalitetit e marrë në Itali për formularin e dekriminalizimit ishte e pastër, theksoi Thanza.

Sipas KPK, veç dënimit, Thanza nuk kishte deklaruar as një procedim penal të nisur ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” nga Prokuroria e Shkodrës dhe të pushuar nga në Prokurorinë e Përgjithshme nga prokurori Kristaq Beluri në 26 korrik 2016.

Sikur mos mjaftonin këto, Thanza figuronte problematik edhe në pasurinë e tij. Sipas ILDKPKIK, gjyqtari i lartë kishte fshehur pasurine dhe kishte bërë deklarim të rremë. I njëjtë ishte edhe rezultati i hetimit të thelluar të KPK. Kështu Thanza ishte bashkëpronar i një apartamenti 136 m2 në Shkodër. Sipas KPK, ky apartament është deklaruar me vlerë 3 milionë lekë, por në kontratë figuron 1.2. Bashkëshortja e tij rezultonte pronare e një apartamenti  113 m2 në Tiranë të deklaruar si të blerë 4 milionë lekë, por në kontratën e shitblerjes figuron 1.9 milionë. Problematike u konsiderua edhe një apartament duplex në Lalëz, pasi në deklaratën e vitit 2012 ishte cilësuar me sipërfaqe 98 m2 dhe në atë të vitit 2017 38 m2. Një garazh i blerë në vitin 2007 në Tiranë nuk është deklaruar deri në vitin 2017, por Thanza tha se kjo ishte vetëm një harresë.

Sipas KPK Thanza nuk ka deklaruar një garazh të dhuruar familjarëve të tij, ku ai ka çerekun e pronësisë, nga një shoqëri ndërtimit. Më shumë se kaq, kjo shoqëri figuron të jetë palë në tre gjykime në Gjykatën e Lartë.

KPK vlerësoi se ka mosjustifikim të shpenzimeve të kryera dhe nga analiza financiare gjatë gjithë karrierës në gjyqësor nga viti 1992 e në vijim Thanza del me bilanc negativ.

Vetë gjyqtari pretendoi se ka bërë deklarime të sakta dhe se ka pasuri të justifikuar.

Raporti i DSIK fliste për kontakte të Thanzës me individë të inkriminuar, por KPK e vlerësoi të pretnedim të pabazuar. Gjyqtari i angazhuar edhe në jetë akademike figuronte me disa probleme edhe sa i përketë aftësive profesionale, ndonëse vlersimi për këtë pjesë ishte pozitiv.

Duke iu rikthyer dënimit në Itali ai përmbylli fjalën duke thënë se betohej para KPK dhe para Zotit se nuk kishte vjedhur ndonjëherë dhe se nuk kishte dhënë ndonjëherë drejtëi me para.

Ndryshe nga kolegët e tij gjyqtarë e prokurorë, që në atë bankë kërkojnë konfirmin në detyrë, Admir Thanza kërkoi vetëm drejtësi.

Vendimi përfundimtar ndaj tij do të shpallet në 17 korrik. /abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono