Vettingu/ KPK: Nikëhasani nuk justifikon pasurinë


15:25 | 17/04/2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të martën seancën dëgjimore për prokuroren e Apelit, Besa Nikëhasani. Sipas KPK-së, ajo nuk justifikon me të ardhura një apartament, dy garazhe, një shtëpi dhe një automjet. Prokurorja tha se çdo pasuri e saj ishte e ligjshme dhe kërkoi të rikonfirmohej në detyrë.

Besa Nikëhasani është e para në radhën e prokurorëve të thirrur në seanë dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Prokurorja e Apelit Shkodër iu nënshtrua me përparësi Vettingut për shkak të kandidaturës së saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo dëshirë e saj mund të realizohet vetëm nëse kalon me sukses filtrin e vettingut, cka duket jo e lehtë për Nikëhasanin.

Për ILDKPKI-në, prokurorja kishte bërë deklarimet të saktë ndër vite dhe se pasuria e saj ishte e justifikuar. Por hetimi i thelluar i bërë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përmes studimit të gjithë dokumentacionit, dokumenteve justifikuese të sjella nga prokurorja Nikëhasani, si edhe nga pyetja e dy dëshmitarëve, kishte dalë në një tjetër përfudim. Sipas KPK-së, prokurorja e Apelit Shkodër nuk e justifikonte disa prej pasurive.

Relatorja Genta Tafa (Bungo) tha se Nikëhasani nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për një banesë prej 144 metër katrorëve e dy garazheve në Tiranë, të blerë 90 mijë euro, një banesë 76 metër katrorë në Shëngjin, të blerë 28 mijë euro si edhe të një automjeti “Toyota Land Cruise” të blerë 19500 euro.

Ndryshe nga tre gjyqtarët e ulur me herët në karrigen përballë trupit gjykues të KPK-së, Nikëhasani kishte zgjedhur të mos merrte avokat.
Prokurorja tha se mosdeklarimi i dy garazheve ishte vetëm një lapsus.

Sipas saj, edhe deklarimi i përfitimit të një shumë prej 752 mijë lekësh në vitin 2013, ishte një lapsus i noterit, pasi kjo shumë ishte përfituar në vitin 2008 nga shitja e një toke. Me një nga deklarimet ku kishte pasaktësi ishte marrë vjehrra e saj, pasi ajo ndodhej jashtë vendit.

Nikëhasani përmendi se kishte marrë të ardhura nga një shtepi pa dokumente në Lezhe, pas prishjes së të cilës ishte ndërtuar një pallat.
Më tej prokurorja tha se nuk e kuptonte si ishin llogaritur kursimet e saj nder vite nga ana e KPK-së.

“Unë nuk i kam mbajtur deklarimet e mëparshme të pasurisë. Mbase është gabim i imi. Thjeshtë ka mospërputhje për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar”, tha Nikëhasani.

Automjetin “Toyota” prokurorja tha se e kishte blerë me para të marra borxh tek pronari i një “Exchange”-i, për shkak se i duhej një mjet i mirë për të udhëtuar çdo ditë nga Tirana në Shkodër.

“I thamë atij: Kemi hall. Na dha nga paratë e tij, jo të kompanisë. Ajo nuk është mjet luksi”, tha Nikëhasani.

Në përfundim, duke shprehur besim në objektivitetin e trupit gjykues, prokurorja kërkoi rikonfirmim në detyrë. Vendimi për të do të shpallët në 20 Prill në orën 09:30./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono