Vettingu, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj para KPA

11:04 | 12/11/201811:040

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi të hënën shqyrtimin e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Edmond Islamaj. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë pretendoi se nuk kishte asnjë problem në pasurinë e tij, por Komisionertë thanë se duhet bërë hetim më i thelluar.

Gjashtë muaj pasi kaloi me sukses procesin e vettingut gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, doli para një pesësheje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij në detyrë u ankumua nga ana e Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vettingut. Komisioneri Publik i tha Kolegjit se hetimi i bërë nga ana e KPK-së për Islamajn ishte i paplotë, i mangët dhe jo bindës për pasurinë. Sipas Komisionerit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të prishë vendimin e mëparshëm dhe të hetojë të gjitha pikat e errëta për të dalë me tej me një vendim konfirmi.

Një nga hetimet e paplota sipas Komisionerit ishte blerja e një trualli prej 1 mijë metër në bregdetin e Karpenit nga gjyqtari në vlerën e 1 mijë euro, në një kohë që vlera e shitblerjes në zonë shkonte gati në 25-fishin e vlerës së blerë nga Islamaj. Nevojë për hetim më të thelluar u kërkua edhe për disa mosdeklarime në vite të pasurive të paluajtshme të bashkëjetueses së gjyqtarit dhe blerje mbi mundësitë e saj financiare, si dhe mbi blerjen e një automjeti fuoristradë. Komisionerët Publikë thanë se në deklaratën vetting të Islamajt mungonte një vlerë prej 4.4 milionë lekë në 9 milionë lekët e pretenduara si kursime ndër vite të dy partnerëve. Sipas palës ankuese, KPK duhet të hetonte më shumë edhe për 64 udhëtimet e bëra nga Islamaj në vitet 2008-2016 dhe 56 të bashkëjetueses. “Duhet të hetohej adresa e mbërritjes, ditët qëndrimit dhe kostot përkatëse”, tha Komisioneri Balliu.

Nga ana e tij gjyqtari Islamaj tha se KPK kishte kryer një hetim të thelluar, bazuar në të gjitha të dhënat dhe provt e nevojshme. Ai kundërshtoi të gjitha pretendimet e ngritura nga ana e Komisionerit Publik, duke theksuar se të gjitha pasuritë e tij dhe personave të lidhur ishin të ligjshme. Në përfundim, për t’i dhënë kohë Komisionerëve Publikë për tu shprehur në lidhje me disa prova të paraqitura nga gjyqtari Islamaj, Kolegji shtyu seancën për të premten në orën 09:00./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono