Vendimi i Gjykatës së Durrësit, reagon Basha

14:55 | 17/07/201914:550

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim basha, përshëndeti vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila këtë të mërkurë refuzoi t’i japë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së Partisë Socialiste, Valbona Sako. Këtë vendim Basha e quan të shenjtë pasi sipas tij ka akoma gjyqtarë që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin.

“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajë dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak”, shkruan kryetari i opozitës.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan më tej se 30 Qershori është grusht kriminal institucional i kryeministrit Rama.

“Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, thotë Basha në Facebook.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës refuzoi t’i japë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së PS, Valbona Sako këtë të mërkurë. Kjo e fundit fitoi zgjedhjet në votimet e 30 Qershorit përballë rivales nga Bindja Demokratike, Valbona Sakollari.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit erdhi me arsyetimin se Bindja Demokratike është regjistruar pas përfundimit të afatit të regjistrimit në KZAZ. Sipas gjyqtares së çështjes Mimoza Margjeka, BD është regjistruar më 25 Prill, pasi kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore.

Gjatë shqyrtimit, Margjeka konstatoi si akt të pavlefshëm vendimin për regjistrimin e BD-së për zgjedhjet e 30 Qershorit, për miratimin e fletës së votimit për kandidatët dhe vendimin për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetarin e Bashkisë Durrës./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono