Vendimi i dënimit të ish-deputetit të PD për Babalen, gjykata: U inskenua nga Salianji

17:10 | 04/01/202017:100

Zbardhet vendimi i Gjykatës Penale te Tiranës për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë, lidhur me publikimin e audiopërgjimit që implikonte si të përfshirë në trafik droge, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Artan Gjermeni, thuhet se Salianji u përfshi në kallëzimin e rremë për interesin e tij politik dhe të PD. Sipas argumentimit të Gjykatës, Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” u akomodua fillimisht në selinë e PD, ku ka dhënë dhe intervista.

Gjykata thotë se biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar të vitit 2018 me një mjet përgjimi stilolaps, të cilin Albert Veliut, sipas gjykatës, ja ka dorëzuar Salianji.

Në vendim thuhet se Ervin Salianji i ka premtuar Albert Veliut se do të përfitonte një shpërblim në një vlerë prej 200 mijë eurosh, në rast se do të sillte të dhënat që inkriminonin Geron (Agron) Xhafaj në fushën e narkotikëve në qytetin e Vlorës.

Sipas Gjykatës, për të realizuar regjistrimin kompromentues për Geron Xhafajn, Veliu ka kërkuar ndihmën e Fredi Alizotit, me të cilin kishte një njohje të vjetër dhe shumë miqësore. Gjykata ka konstatuar se zëri i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm në audio përgjim, Geron Xhafa është stimuluar nga Fredi Alizoti.

“Të dy të pandehurit kanë regjistruar bisedën e simuluar, në muajin Janar të vitit 2018, në qytetin e Vlorës, tek një lokal që ndodhet përballë lokalit të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj. Bisedën ata e kanë regjistruar tek një mjet regjistrues i tipit stilolaps dhe mbasi kanë ardhur në Tiranë, i pandehuri Albert Veliu ja ka dorëzuar të pandehurit Ervin Salianji, i cili ishte dhe personi që i kishte dhënë këtë mjet”, thuhet në vendim.

Gjykata ka konstatuar se mes 4 te pandehurve të çështjes “Babale”, Veliu, Alizoti, Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi ka pasur komunikime te shpeshta para e pas publikimit të audio përgjimit.

Sipas gjykatës, kontakti mes Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi është realizuar nga Salianji. Për gjyqtarin Artan Gjermeni, edhe deklarimet publike te ish-deputetit Salianji nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës.

Për këto arsye, sipas gjyqtarit, kjo veprimtari e kallëzimit të rremë, nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit të funksionit politik të deputetit apo lirisë së shprehjes.

Ashtu siç kishte premtuar edhe në përfundim të gjykimit në shkallën, e parë ish-deputeti Ervin Salianji ka apeluar vendimin duke kërkuar pafajësi për veprat penale për të cilat ka qenë nën hetim.

Përveç ish deputetit demokrat, gjykata ka dënuar me 3 vite e 5 muaj burg, Albert Veliun për akuzën e kallëzimit të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit, dhe me 2 vite Fredi Alizotin si bashkëpunëtor në regjistrimin e audio përgjimit.

Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi  dënimi me 6 muaj burg është konvertuar me detyrimin për të kryer 100 orë pune në interes publik. Sipas vendimit të gjykatës penale, vuajtja e dënimit për Ervin Salianjin, do të nisë nga dita që vendimi merr formë të prerë.

Në të përcaktohet se vuajtja e dënimit do të kryhet në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono