Vendimet e Trump: Tarifa Kinës, raketa në lindjen e mesme e hetime për Biden

12:17 | 11/05/201912:170

Java që lamë pas ka qenë mjaft energjike për presidentin amerikan Donald Tramp si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtme. Pekinit i është dhënë një ultimatum 1 mujor për arritjen e një marrëveshjeje në të kundërt do të ketë tarifa të reja. Trump nuk përjashtoi as mundësinë e hetimeve ndaj ish zv/presidentit amerikan Biden.

Dialogu mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës vazhdon por sekretari amerikan i thesarit Stiv Mnuhin i ka dhënë zv/kryeministrit kinez një ultimatum. Pekini ka tre deri në katër javë kohë për të arritur një marrëveshje, në rast të kundërt do të hyjnë në fuqi tarifa të reja për 350 miliardë dollarë produkte kineze. Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të takohen sërish në Pekin për vazhdimin e negociatave të cilat nuk kanë dështuar. Për mediat kineze, pas raundit të 11 të negociatve, zv/kryeministri i Kinës u shpreh se bisedimet kishin qenë të hapura dhe konstruktive. Ai shtoi se ndalesat e vogla janë normale dhe të pashmangshme gjatë negociatave mes dy vendeve. Duke theksuar se Kina po tregohet e kujdesshme dhe optimiste, ai tha se prej disa principeve është e pamundur të hiqet dorë.

Pentagoni ndërkohë ka zyrtarizuar vendimin për lëvizjen e një baterie raketash Patriot në Lindjen e Mesme, si masë sigurie ndaj kërcënimit Iranian. Për të njëjtën arsye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan në rajon një flotë lufte dhe një grup bombarduesish. Pentagoni nuk ka dhënë detaje të tjera por burime të Ministrisë Amerikane të Mbrojtjes konfirmuan se vendimi u mor pas raportit të shërbimeve të inteligjencës, sipas të cilit Irani kishte ngarkuar raketa dhe armatime të tjera ushtarake në disa varka të vogla.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për një hetim të mundshëm ndaj kandidatit për garën presidenciale Biden. Ish zv/presidenti amerikan mund të jetë subjekt hetimi për një konflikt interesi të mundshëm në çështjen ukrainase. Trump u shpreh se nuk është folur për këtë temë, por nuk do të ishte dhe aq surprizë nëse do të ndodhte. Biden është kandiati kryesor i demokratëve, dhe rivali kryesor i Trump në garën për në shtëpinë e bardhë. Trump tha se do të këshillohej fillimisht me avokatin e tij personal Rudi Xhuliani, para se të nisej për në Kiev për të pyetur autoritetet vendase nëse do të hetojnë për presionet e Bajden, në atë kohë zv/president. Ky i fundit kërkonte shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm ukrainas, i cili po hetonte për një shoqëri energjetike të një oligarku, për të cilin punonte dhe djali i vetë Biden.

Në një intervistë për Politiko, Donald Trump u shpreh se nuk I konsideronte si një shkelje besimi raketat e hedhura së fundmi nga Koreja e Veriut. Kjo sepse sipas tij ai ishte një veprim standard i Penianit.

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar të paktën dy herë muajin e fundit, ish avokatit Donald Mekgan që të pohonte publikisht se nuk kishte besuar asnjëherë se presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë. Lajmi është publikuar nga Nju Jork Tajms, që citon dy burime të informuara për këtë rast. Mekgan, një nga dëshmitarët kryesorë të raportit të prokurorit Muller për Russiagate, ka refuzuar.

Nga ana tjetër ka përfunduar me përçarje të shumta takimi përgatitor përfundimtar për rishikimin e traktatit për armët Bërthamore për vitin 2020. Deklarata u bë nga ambasadori amerikan në institucionet ndërkombëtare në Gjenevë, Robert Ud, duke theksuar se arritja e një marrëveshjeje në konferencën e vitit të ardhshëm, është pothuajse e pamundur. Por gjithësesi ai shtoi se kjo marrëveshje mbetet një objektiv që nuk mund të braktiset. Traktati për armët bërthamore përfaqëson marrëveshjen kryesore ndërkombëtare për armët bërthamore për të penguar shpërndarjen e tyre. I hyrë në fuqi në vitin 1970, vitin tjetër ai do të shënojë 50 vjetorin.

Ndërkohë Pentagoni miratoi një plan për të shpenzuar një shtesë prej 1.5 miliard dollarë për të ndërtuar një mur 128 kilometra të gjatë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës. Fondi fillimiht ishte caktuar për mbështetjen e forcave afgane.

Ky vendim nuk i ka pëlqyer aspak Kongresit Amerikan i cili u shpreh se nuk është kërkuar miratimi i tij për riprogramimin e fondeve. /ABC news Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono