Veliaj uron qytetarët: Ndryshimi i Tiranës do vijojë


13:17 | 14/03/2018

Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale, ushqim i shëndetshëm, ishin ato që çfarë ofroi sot kryeqyteti për të gjithë qytetarët që zgjodhën Tiranën për të kaluar festën e Ditës së Verës. Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe rrethet, janë bërë pjesë e festimeve të shumta të organizuara në rrugët dhe në sheshet e kryeqytetit, i cili është veshur me ngjyrat e festës.

Festa filloi që në orën 10:00, me paradën e karnavaleve ku fëmijë të shkollave të ndryshme të kryeqytetit parakaluan me veshje të ndryshme në drejtim të Liqenit Artificial, ndërkohë që një nga pilotët më të mirë në botë, Martin Sonka, dhuroi një shfaqje në qiellin mbi Sheshin “Skënderbej” me aeroplanin e tij sportiv.

Festës i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e nisi ditën duke mbjellë pemë të reja në periferi të Tiranës dhe në Parkun e Liqenit Artificial. Pasi është përshëndetur me qytetarë të shumtë, ai ndoqi nga afër shumë prej aktiviteteve të sotme, si dhe përcolli urimin e tij për të gjithë qytetarët e Tiranës.

“Dua t’u uroj nga zemra, në emër të Bashkisë të Tiranës dhe gjithë qytetarëve tanë gëzuar Ditën e  Verës! Sot kemi pasur një ditë me aktivitete, të gjithë parashikonin që do ishte shi dhe sterrë, por na pa Zoti si i thonë dhe kemi patur një ditë fantastike. E filluam me disa mbjellje masive në rrethinat e Tiranës, pastaj nga Liqeni, ku kemi patur pafund aktivitete e tani këtu në sheshin “Skënderbej”. Dua të falënderoj aeuronatikën dhe dua t’ju uroj të gjithëve një stinë të mbarë. Stina e pranverës, stina e verës, ardhja e një moti të ri  është ndoshta një moment për të reflektuar  e për të kuptuar që kur ne jemi bashkë, ne bëjmë mrekulli”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës siguroi se pavarësisht disa debateve, puna për ndërtimin e Tiranës do të vijojë, ndërkohë që siguroi nisjen e disa projekteve të rëndësishme për qytetin sikurse Piramida , Teatri i ri dhe pjesa e mbetur e Bulevardit të Ri.  “Pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam këndin e lojërave pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam Pazarin e Ri, pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam bulevardin e ri, pavarësisht debateve që pati, do të vazhdojmë në këtë mot të ri për të ndërtuar më shumë në Tiranë pavarësisht debateve që do kenë. Kjo do të jetë Piramida, do të jetë teatri I ri, do të vazhdojmë me fundin e bulevardit. Ne kemi mësuar që çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar janë sot pikat më të nxehta të qytetit”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se është momenti që të gjithë të fokusohen te puna dhe të tregohen bashkëpunues dhe mbështetës për të mos humbur kohë. “Në e shihni ku ka qenë popullsia më e madhe sot ka qenë tek liqeni, tek këndi i lojërave, këtu te ky sheshi i ri “Skënderbej” dhe Pazari i Ri e tek bulevardi i ri. Prandaj hajde të fokusohemi që të jemi pozitivë të jemi dashamirës, të jemi ndërtues, të jemi mbështetës ndaj njëri-tjetrit. Sa herë që zihemi e përçahemi humbasim kohë të çmuar, por disa herë që punojmë të fokusuar me optimizëm e energji pozitive, ne bëjmë mrekulli. Faleminderit të gjithëve nga zemra dhe ju uroj gëzuar ditën e verës”, deklaroi Veliaj.

Për më shumë se tre orë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u mbajt një koncert me këngëtarët e njohur si Arilena Ara, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Lorenc Hasrama, Fifi, Denisa Gjezo& Band, ndërsa përballë piramidës Piramida ishte një tjetër skenë e muzikës ku performuan Dee Jay, Dj Aldo, DjSardi, Dj Mickey, Chriss V, VinVeli, Abel Dj.

Sikurse është bërë tashmë traditë, Parku i Liqenit Artificial ishte një nga destinacionet më të preferuara nga qytetarët, me varka dhe kanoe për argëtim, aktivitete sportive, panair dhe shëtitje buzë liqenit që gjallëruan këtë zonë të qytetit në këtë ditë të shënuar. Në rrugë të ndryshme të qytetit janë ndërtuar skena më të vogla për të vegjlit.

Aktivitetet festive me rastin e kësaj dite mbyllen në mesnatë ku të rinjtë në pika të ndryshme të qytetit do të kenë mundësi që të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikore. /abcnews.al

 

 

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono