Vakanca pas shkarkimit të anëtarit, rikthehet “ngërçi” për kryeprokurorin e ri

12:19 | 01/08/201912:190

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbeti me 10 anëtarë pas shkarkimit ditën e djeshme të Gentian Osmanit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Shkarkimi vjen në një kohë kur KLP duhet të bëjë renditjen përfundimtare të 4 kandidatëve për kryeprokurorë të vendit. Por, për të zëvendësuar anëtarin e shkarkuar dje, KLP-ja duhet të ndjekë një sërë procedurash.

Pas kalimit në procesin e Vettingut të prokurorit Olsian Çela, u duk se ngërçi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri u zgjidh. Por shkarkimi këtë të mërkurë i njërit prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani, duket se po prodhon një ngërç të ri.

Largimi nga drejtësia i ish-prokurorit të çështjes “Tahiri” solli vakancë në KLP, organ i cili tashmë ka mbetur me 10 anëtarë. Kjo vakancë ka çekuilibruar balancat brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi ka në dorë vendimmarrjen më të rëndësishme të renditjes përfundimtare të 4 kandidatëve për Kryeprokuror të vendit.

Sipas ligjit, për të zëvendësuar Gentian Osmanin Këshilli i lartë i Prokurorisë duhet të zhvillojë një mbledhje ku të shpallë vakancën. Më pas, KLP duhet t’i dërgojë letër Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm që të rihapë garën dhe më pas të thërrasë Asamblenë e Prokurorëve.

Të drejtë për të kandiduar për anëtarë në KLP e kanë vetëm prokurorët e Shkallëve të Para, pasi Osmani ishte prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. Do të jetë asambleja, ajo që do të caktojë se kush do të jetë anëtari më i ri i qeverisë së Prokurorëve.

Më herët, KPA shkarkoi një tjetër anëtare të KLP-së Antoneta Sevdarin dhe asambleja e Prokurorëve vendosi që kandidati i vetëm në garë, Vatë Staka të bëhej pjesë e këtij këshilli.

Një tjetër anëtar i KLP-së, i ankimuar nga Komisioneri Publik, është Besnik Cani, për të cilin ende nuk është caktuar një datë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, se kur do ta zhvillojë për të seancën publike./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono