Ushtria në aeroport, Rama: Ndërhyrja, e ligjshme

17:04 | 11/04/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kërkuar zyrtarisht informacion mbi bazën ligjore të vendosjes së ushtrisë në aeroportin “Nënë Tereza”. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kanë sqaruar se vendimi për ndërhyrjen ushtarake është i ligjshëm.

Janë dy qëndrime të kundërta për vendosjen e ushtrisë në aeroportin e Rinasit. Për mazhorancën është legjitime e për opozitën është shkelur ligji. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka pranuar të shprehet ende pa patur të gjithë informacionin në tavolinë.

Nëpërmjet zëdhënësit të tij bën me dije se i ka kërkuar zyrtarisht Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral, Bardhyl Kollçakut, informacion mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”.

Kryeministri Edi Rama është treguar më konkret duke e ilustruar me disa foto në rrjetin social Instagram.

Këto janë forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, që janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato.

“Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”.

Me zë e figurë e sqaron edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mision kushtetues sigurinë kombëtare, nëse konstatojmë se kjo siguri është cënuar apo thjesht kërcënuar, FA ka detyrë kushtetuese të japin kontributin e tyre. Ata kanë hyrë aty si mbështetje ndaj strukturave të Policisë së Shtetit. Siguria fizike e aeroportit ishte në një pikë të papranueshme. Jua them miqësisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar”, tha ai.

Ligjshmëria e ndërhyrjes së ushtrisë në aeroportin “Nënë Tereza” vazhdon të jetë debat i hapur. Sipas ligjit të pushteteve të drejtimit të Forcave të Armatosura, kryeministri vendos përdorimin e tyre gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nëse vendoset gjendja e jashtëzakonshme duhet të jetë Kuvendi që e merr vendimin./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono