Ulsi Manja tregon se kur do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese (Video)

20:54 | 31/05/201920:540

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka treguar në emisionin “Provokacija” momentin se kur mund të jetë gati Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Sipas kryetarit të komisionit të ligjeve Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda muajit Korrik.

Gjithashtu ai theksoi se në të njëjtin stad procesi është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Për Gjykatën e Lartë, Manja theksoi se do të jetë gati brenda verës.

“E thotë ligji se kush i nënshtrohet me përparësi Vettingut. Për mua nuk është bërë gabim. Fakti që nuk e kemi funksionale sot Gjykatën Kushtetuese dhe nuk kemi funksionale dhe Gjykatën e Lartë e ka hapur një lloj debati, por për mua Vettingu, natyrisht që nga Gjykata Kushtetuese do duhet të fillonte reforma në drejtësi. Kur e nisëm reformën në drejtësi një nga arsyet që e nisëm ishte se Gjykata e Lartë nuk e ka ushtruar si duhet rolin udhëheqës në sistemin gjyqësor.

Unë shpresoj dhe besoj se brenda Korrikut Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale. Në fazën ku është procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të gjykatës kushtetuese nga KED, unë them që jo brenda Korrikut po e po, por unë shpresoj që brenda 20 Korrikut ta kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë që është hallka kryesore e reformës sepse është inspektori që do kontrollojë sistemin dhe lidhet me llogaridhënien e sistemit, do të ngrihet paralelisht me Gjykatën Kushtetuese. Janë në të njëjtën shkallë, në të njëjtin stad procesi. Brenda këtij sesioni parlamenti do të votojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin. Ndërsa me Gjykatën e Lartë unë e di që këtë javë KLGJ do hapë garën për anëtarët e Gjykatës së Lartë që vijnë nga jashtë sistemit. Gjykata e Lartë mjafton të krijohet një trupë gjykuese prej gjashtë gjyqtarësh dhe fillon plotësohet në mënyrë dinamike. Edhe Gjykata e Lartë me këtë formulë plotësimi mund të jetë funksionale para verës”, tha Manja.

Kreu i komisionit të ligjeve nënvizoi se nga reforma në drejtësi kanë frikë të gjithë. Mirëpo mazhoranca sipas tij ka qenë promotor i saj dhe  si e tillë do ta çojë deri në fund pasi e ka kalin e saj të betejës.

“Nuk kanë frikë nga reforma vetëm ata. Frikë nga reforma kemi edhe ne. Të gjitha palët kanë frikë nga reforma. Ose le të themi në një target më të ngushtë, kush e di se çfarë ka nën kësulë sigurisht që ka frikë nga reforma. Por qasja politike ndaj reformës është e ndryshme. Ne si mazhorancë kemi qenë promotori i kësaj reformë. E kemi suportuar që në momentin e parë dhe do ta çojmë deri në fund sepse e kemi kalin tonë të betejës. Për këtë na votuan shqiptarët në 2013 dhe për këtë na dhanë një mandat të vetëm në 2017-n. Sepse drejtësia si pushtet është siguresa e sistemit kushtetues që kemi zgjedhur. Unë e njoh procesin e reformës në drejtësi në detaje dhe dua të them që ka qenë një marrëveshje e madhe politike. Kush nuk e ka kuptuar që ka qenë një marrëveshje e madhe politike mes nesh, SHBA dhe BE-së bën gabim. Çështja e frikës nuk është se ata paskan frikë nga SPAK dhe BKH dhe ne që jemi në pushtet paskemi frikë. Jo. Ne e kemi pranuar që organet e reja të drejtësisë, sistemi i ri i drejtësisë që ne kemi ndërtuar do i përfshijë të gjithë”, tha Manja.

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono