
Një i ri shqiptar u dënua me 30 muaj burg pasi u kap në një fabrikë kanabisi në qendër të qytetit Galashiels në Skoci.
Mirjan K., 30 vjeç, pretendoi para autoriteteve se ishte viktimë e trafikut të qenieve njerëzore. I riu tha se ishte larguar nga vendi për shkak të frikës se do të vritej. Për të shkuar në Britani, ai mori borxh 16 mijë Paund.
E për ta paguar këtë borxh, ai u detyrua të kujdesej për kanabisin në një dyqan që dikur shërbente si librari. Por më 9 Prill, policia ushtroi kontroll në këtë ndërtesë dhe gjeti 700 rrënjë kanabis, vlera e të cilës arrinte deri në 200 mijë euro nëse dilte në treg.
30-vjeçari u kap duke fjetur në kuzhinë. Ai deklaroi se ka punuar aty si roje dhe nuk ishte patur kurrë rol në kultivimin e kanabisit. Ndërkohë prokurori i çështjes, Graham Fraser, solli në gjyq detaje të reja për sa i përket arsyeve të shkuarjes së Mirjanit në Britani.
“I akuzuari tha se ishte arratisur nga Shqipëria përpara 2018-s. Ai tregoi se si xhaxhai, i cili ishte një person i rëndësishëm në politikë, ishte vrarë. Pas mesazheve kërcënuese për veten dhe familjen ai ishte detyruar të ikte nga Shqipëria. Ai po punonte për një grup që të shlyente borxhin”, tha Fraser./abcnews.al