U vetëvra, kush ishte Presidenti i Kilit Salvador Allende

16:39 | 20/03/2019

Po kush ishte Salvador Allende, që përmendi Meta në deklaratën e tij? Themelues i Partisë Socialiste të Kilit, Allende mbajti detyrën e Presidentit të vendit për tre vite dhe vrau veten në ambientet e Presidencës gjatë grushtit të shtetit të drejtuar nga gjenerali Pinoçet në 1973-shin.

Ëndrra e tij ishte ndërthurja e socializmit me demokracinë. Mjek, marksist i bindur, Salvador Allende mbahet mend si President i Kilit i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe më pas i rrëzuar nga pushteti në 11 Shtator të 1973-shit, nga grushti i shtetit ushtarak i drejtuar nga Augusto Pinoçet, i cili më pas mori pushtetin duke vendosur një diktaturë që do të zgjaste 17 vjet. Allende ishte një nga themeluesit e Partisë Socialiste kilene dhe gjatë karrierës së tij ka qenë ministër, senator dhe President i Senatit, para se të mbërrinte në postin e kryetarit të shtetit.

Allende iu bashkua politikës gjatë kohës kur studionte në lice, fillimisht për mendimin anarkik dhe më pas për marksizmin. Ngjitja e Allende në skenën politike të vendit ndodh brenda një kohë të shkurtër. Në vitin 1938 ai bëhet ministër Shëndetësie dhe të politikave sociale, post që do të ruajë deri në vitin 1942 dhe me dy Kryeministra të ndryshëm. Në vitin 1952, ai kandidohet për herë të parë për presidencën e vendit me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe të asaj Komuniste, duke mbërritur i fundit. Në vitin 1958 dhe pse trefishon votat humbet përballë konservatorit Rodríguez. E njëjta situatë përsëritet dhe në vitin 1964.

Pas humbjeve elektorale dhe pas postit si President i Senatit në periudhën 1966 – 1969, Allende merr pjesë në zgjedhjet presidenciale të 1970-ës, i mbështetur nga koalicioni i së majtës Uniteti popullor. Fiton me më shumë se 36% të votave pa një mazhorancë absolute. Për këtë arsye në parlament, ai mbështete falë një marrëveshjeje mes forcave të së majtës dhe demokracisë së krishterë, pavarësisht presioneve amerikane dhe të CIA-s për të mos i lënë vendin në dorë një politikani që e pranonte publikisht se ishte marksist.

Shtetet e Bashkuara i trembeshin faktit se Allende do të transformonte vendin në një aleat të Bashkimit sovjetik. Sekretari amerikan i shtetit në atë kohë Herri Kisinger deklaroi se nuk mund të qëndrohej pa bërë gjë teksa një vend bëhet komunist për shkak të papërgjegjshmërisë së popullit të tij.

Reformat e Allende në fushën ekonomike-industriale shkaktuan përplasje të ashpra civile në vend. Opozita nisi të kërkojë ndërhyrjen e forcave të armatosura për të rivendosur rendin. Tensionet u përshkallëzuan deri kur në 11 Shtator të 1973-shit, në orët e para të mëngjesit nisi grushti ushtarak i shtetit i drejtuar nga gjenerali Augusto Pinoçet, duke vendosur diktaturën dhe duke shkaktuar vdekjen e Allende, i cili sipas mjekut të tij, vetëm për të mos dhënë dorëheqjen ashtu si i kërkohej nga ushtarët, u vetëvra me mitraloz në ambientet e presidencës.

Pas vdekjes, ai u varros pa një funeral në Viña del Mar, nën emrin e rremë të Eduardo Grove. Vetëm në vitin 1990 kur përfundoi diktatura, trupi i ish-presidentit u rivarros me një ceremoni madhështore publike në Santiago, brenda një mazoleumi në varrezat e kryeqytetit./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono