TVSH e hoteleve, Rama: Kemi nivelin më të ulët në rajon

22:12 | 08/06/2018

Hotelet e reja që do të ngrihen në Shqipëri përjashtohen për 10 vjet nga tatim-fitimi. Veç kësaj, kryeministri Rama premton masa të tjera lehtësuese fiskale edhe për investimet në agroturizëm për 3 vjet.

Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon për TVSH-në e hoteleve në vetëm 6%. Kryeministri Rama e cilëson këtë një mbështetje të madhe për zhvillimin e turizmit. Kësaj mase, sipas shefit të qeverisë, i bashkëngjitet edhe përjashtimi i hoteleve të reja nga tatim-fitimi për 10 vjet.

Edi Rama: Ne sot jemi në kushtet e një regjimi krejt të ri për sa i përket taksave për hotelet në tërësi, pra për të gjitha hotelet, sepse kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme tatimin mbi vlerën e shtuar, nga standardi 20%, në vetëm 6% . Faktikisht kemi ardhur në nivelin më të ulët në rajon, qoftë për sa i përket stimulimit të ndërtimit të hoteleve të tjera, duke garantuar një 10 vjeçar të përjashtuar nga tatimi i fitimit, me një TVSH vetëm 6%. Shumëkush e konsideron këtë një favor për industrinë e luksit, por në fakt, kjo industri e luksit është dhe industria që sjell më shumë vlerë të shtuar në ekonomi. Është industria që sjell më shumë të ardhura për ekonominë kombëtare dhe që sjell më shumë punësim dhe vende pune të paguara shumë më mirë”.

Kryeministri premtoi masa të tjera lehtësuese fiskale për mbështetjen e agroturizmit në harkun kohor të 3 viteve.

Edi Rama: “Duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuan në vetëm 6%, duke ulur tatimin mbi fitimin në vetëm 5% dhe duke financuar projekte bashkërisht, pra me kontributin e drejtpërdrejtë të shtetit përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, është një bazë që të gjithë ata që janë të interesuar të mendojnë dhe të punojnë për të pasur projekte për të cilat ne mund të japim mbështetjen tonë, por është njëkohësisht edhe një bazë për sipërmarrësit më të mëdhenj që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, që të kthejnë sytë nga bukuritë e këtij vendi në zonat rurale dhe të marrin pjesë në këtë iniciativë”.

Kryeministri apeloi për të përfituar nga këto lehtësi, që nuk do të jenë pas 3 vitesh për investime në agroturizëm. Sipas shefit të qeverisë, turizmi është një nga motorët më të fuqishëm të ekonomisë tonë. Rama i bëri këto deklarata gjatë përurimit të një strukture akomoduese në Golem të Durrësit, ku mori pjesë sëbashku me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono