Trump, vizitë surprizë në Irak

23:01 | 26/12/201823:010

Presidenti Donald Trump ka bërë vizitën e parë në një zonë lufte që nga marrja e detyrës. Nga Bagdadi, ku u takua me trupat amerikane, Trump ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqjen e trupave nga Siria.

Presidenti Donald Trump ka nisur të mërkurën një vizitë surprizë në Irak, ku fillimisht është takuar me trupat amerikane, ndërsa në axhendë ka edhe takime me zyrtarët vendas. Bëhet fjalë për vizitën e tij të parë në një zonë lufte në 2 vjet detyrë, pak ditë pasi njoftoi tërheqjen e trupave nga Siria dhe Afganistani.

Trump ishte kritikuar ashpër nga krerët e ushtrisë amerikane për faktin se nuk kishte vizituar kurrë trupat në zonat e konflikteve që nga marrja e detyrës në Janar 2017. Pa harruar këtu anulimin që ai i bëri vizitës në memorialin e Luftës së Parë Botërore muajin e kaluar në Francë, për shkak të shiut. Avioni presidencial “Air Force One” u ul të mërkurën në bazën ajrore “Al Asad”, në perëndim të Bagdadit.

Pas tkurrjes së ndjeshme të valës së dhunës që erdhi pas goditjeve të njëpasnjëshme të Shtetit Islamik vitin e kaluar, aktualisht trupat amerikane janë të angazhuara në stërvitjen e ushtrisë vendase. Mediat amerikane e kanë komentuar vizitën si një përpjekje të presidentit për të fituar simpati, pas kritikave që vërshuan në adresë të tij pas vendimeve për të tërhequr të gjitha trupat nga Siria dhe gjysmën e atyre të pozicionuara në Afganistan.

Por nga Bagdadi, Trump mbrojti vendimin e tij sa i takon Sirisë, duke ritheksuar se pas mposhtjes së Shtetit Islamik misioni amerikan nuk është më i nevojshëm. Një përgjigje e thatë kjo drejtuar kritikëve të tij, që paralajmërojnë se fitorja ndaj terrorizmit është ende larg dhe se tërheqja do të çojë në braktisjen e aleatëve. Në rrugën e kthimit nga Iraku, presidenti do të ndalojë për të vizituar edhe trupat amerikane në bazën ajrore Ramshtajn, në Gjermani./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono