Trump dhe Pompeo presin Lavrov në SHBA: Nuk do të lejojmë ndërhyrje në zgjedhje

09:15 | 11/12/201909:150

Presidenti Donald Trump u takua dje pasdite pas dyerve të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Takimi erdhi pas shpalljes nga komisioni i ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve të akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit.

Përpara kësaj, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pati një takim me Ministrin e Jashtëm rus në Departamentin e Shtetit, ku deklaroi se çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet amerikane është “e papranueshme” dhe paralajmëroi Rusinë dhe të tjerët se administrata Trump do të mbrojë integritetin e votës.

Pas  bisedimeve me homologun rus që përfshinin edhe mosmarrëveshjet për kontrollin e armëve, Ukrainën, Sirinë dhe Venezuelën, Pompeo tha në një konferencë të përbashkët shtypi se administrata do t’i kundërvihet ndërhyrjes në zgjedhje, si në ato të kaluara ashtu edhe në të ardhmen.

“Unë kam qenë i qartë, ishte e papranueshme, dhe në fakt i bëra të qarta pritshmëritë tona për Rusinë.Administrata Trump gjithmonë do të punojë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve tona.  Nëse Rusia ose ndonjë aktor i huaj ndërmarrin hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim veprime si kundërpërgjigje”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ironizoi “valën e dyshimeve që ka përmbytur Uashingtonin” në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke kërkuar përsëri që Moskës t’i dorëzohen provat e një veprimtarie të tillë nëse ekzistojnë.

“Të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme të Shteteve të Bashkuara janë të pabaza. Askush nuk na e ka dhënë këtë dëshmi sepse ajo thjesht nuk ekziston.

Ministri i Jashtëm rus hodhi një propozim të përsëritur të Rusisë për publikimin e komunikimeve konfidenciale me SHBA, për të zgjidhur shqetësimet për zgjedhjet e 2016-s që ai tha se administrata Obama nuk e pranoi.

Edhe Sekretari Pompeo nuk u shfaq i impresionuar nga oferta e zotit Lavrov dhe tha se SHBA tashmë i kanë bërë publike konkluzionet e tyre.

Lavrov dhe Pompeo vunë në dukje bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe anti-narkotikëve që ka vazhduar megjithë tensionet dhe shprehën shpresë se synimet e përbashkëta për Korenë e Veriut dhe Iranin mund të realizohen.

Por, ata pranuan gjithashtu se mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe përfshijnë traktatin e ri për kontrollin e armëve që skadon vitin e ardhshëm dhe dëbimin reciprok të diplomatëve nga të dyja vendet.

Vizita e zotit Lavrov në Uashington është e para që nga maji 2017./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono