Tritoli ndaj shtyllës së tensionit të lartë, zv/ministri: Akt terrorist

18:14 | 18/03/2019

Tritoli që iu vendos shtyllës së tensionit të lartë në Fushë Krujë është akt terrorist. Kjo është deklarata e fortë që u bë pasditen e të hënës nga zëvendësministri i Energjitikës dhe ai i Brendshëm.

“Në shtyllën 65 të linjës së tensionit të lartë 400 KW një linjë dyfishe, Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Prizren është vendosur lëndë plasëse. Si rrjedhojë e shpërthimit është shkatërruar njëra këmbë e shtyllës dhe disa elemente mbajtëse të saj, të cilat kërcënojnë një dëmtim shumë serioz, pra rrëzimin e shtyllës. Për këtë arsye ka reaguar menjëherë OST dhe policia e Durrësit, të cilët janë në vendngjarje për riparimin e defektit dhe për verifikimet e rastit. Rrëzimi i shtyllës do rrezikonte të linte të gjithë vendin pa energji elektrike. Pra do kërcënonte sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë, sigurinë kombëtare të vendit. Është një akt, mund të konsiderohet jo vetëm i dhunshëm, por edhe terrorist”, tha zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.

“Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të vendosjes së një lëndë eksplozive, rreth 5-6 metra mbi nivelin e tokës, në pikën nyje të njërës këmbë të shtyllës. Nga këto dyshime paraprake mendohet se nuk ka qenë eksploziv i telekomanduar, por me fitil përcjellës zjarri. Pranë vendit të ngjarjes, fatmirësisht nuk ka patur banesa, ç’ka mund të sillte dëmtime në jetë njerëzore. Grupi hetimore po heton për të zbuluar detaje të mëtejshme me interes për zbardhjen e kësaj ngjarjeje në total, si koha, motivet e ngjarjes dhe autorët e tyre. Kjo është vepër e rëndë kriminale e parashikuar në Kodin Penal të Shqipërisë, konkretisht neni 230 vepra me qëllime terroriste, ku përfshihen akte të ndërprerjes me ujë apo energji elektrike dhe çdo burim tjetër të rëndësishëm, dhe dënohet minimalisht me 15 vjet burg ose deri në burgim të përjetshëm. Shpresojmë shumë që kjo ngjarje të mos ketë lidhje me politikën edhe pse gjuha që nxit dhunë, prodhon dhe provokon pasoja të tilla”, tha zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono