Tre akset kryesore ku do të mbështetet samiti i Sofies e çfarë synohet?


17:22 | 16/05/2018

Materiali në vijim na njeh me 3 akset kryesore ku do të mbështetet samiti i Sofies si dhe çfarë synohet të arrihet me to.

Erisa Zykaj: Aksi i parë ka të bëjë me zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit. Liderët europianë do të diskutojnë mbi progresin e çdo vendi të Ballkanit aspirant për anëtarësimin në BE, por pa dhënë data dhe pa dalë me konkluzione për secilin vend. Aksi i dytë ka të bëjë me promovimin e Bashkimit Europian të krijimit një tregu rajonal dhe klime investimi favorizuese në Ballkan, duke mbështetur ndërlidhjen e rajonit në mënyrë substanciale në të gjitha dimensionet, transport, energji, ekonomi, dixhitalizimi dhe, shkëmbimet në fushën e arsimit. Aksi i tretë ka të bëjë me bashkëpunimin në sigurinë nga njëra anë për luftën kundër terrorizmit, radikalizimit dhe kthimin e luftëtavrëve të hua, dhe nga ana tjetër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Nesër ne do takohemi me partnerët e Ballkanit së bashku për herë të parë në 15 vjet. Do të jetë një oportunitet për të të dyja palët për të konfirmuar, se perspektiva europiane mbetet zgjedhja gjeostrategjike e vendeve të Ballkanit. Përtej pikëpamjes afatgjatë, ne duam të tregojmë se kujdesemi për zhvillimet ekonomike sociale në rajon këtu dhe sot”.

Dimensionit energjitik do t’i jepet prioritet në samitin e Sofje përmes përmirësimit të efikasitetit të energjisë, ndërlidhjet më të mira ndërkufitare, diversifikimin e burimeve dhe rrugëve energjitike, si dhe një energji më të ekuilibruar të kombinuar me energji të rinovueshme. Në draft-konkluzionet e samitit, thuhet se BE-ja përshëndet angazhimin e vendeve të Ballkanit për të përshpejtuar zbatimin e Traktatit të komunitetit të energjisë dhe komunitetit të transportit. Liderët europianë përshëndesin gjithashtu vendosmërinë për heqjen e të gjitha pengesave administrative në kufi për përfundimin e tregut rajonal të energjisë elektrike dhe zbatimin e planit shumëvjeçar të veprimit të korrikut 2017 për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale. Gjithashtu në draft thuhet, se BE pranon të promovojë një mjedis miqësor për tregun dhe investimet në Ballkanin Perëndimor për të lëvizur më shpejt drejt një ekonomie dixhitale.  Një theks i veçantë do të vihet në drejtim të krijimit të mundësive të mëtejshme për të rinjtë, duke siguruar që kjo të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Investimi në ndërlidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me dhe brenda Ballkanit Perëndimor është në interesin më të mirë të Bashkimit Europian . Dhe do të jetë objektivi i samitit tonë. Unë shpresoj që t’i sjellim miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor më afër BE-së”.

Lidhur me sigurinë, BE-ja synon të bashkëpunojë më fort me Ballkanin për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, përfshirë financimin, radikalizimin dhe kthimin e luftëtarëve të huaj.BE thekson, se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik dhe socio-ekonomik të rajonit dhe gjithashtu për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre. /abcnews.al

 

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono