Transferimi i dosjes 184 në Dibër, reagon Prokuroria e Përgjithshme

schedule11:31 - 22 Gusht, 2019

schedule 11:31 - 22 Gusht, 2019

Pas reagimeve të Partisë Demokratike për transferimin e dosjes 184 në prokurorinë e Dibrës, Arta Marku ka dhënë sqarim zyrtar. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, thuhet se prokurori i çështjes Klodan Braho, ka ndryshuar cilësimin e veprës penale nga “Grup i strukturuar kriminal, në bashkëpunim të thjeshtë. Ndërsa prokuroria e Dibrës kishte kërkuar që të mos i transferohej ajo dosje, pasi gjendet në situatën e konfliktit të interesit e pa staf të mjaftueshëm.

Prokuroria e përgjithshme përmes një njoftimi për mediat jep disa sqarime lidhur me dosjen e shumë diskutuar 184, për hetimin e dyshimeve për shitblerje të votave në zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016 dhe debatin për kompetencat për hetimin e kësaj çështje.

Prokuroria e përgjithshme ka arritur në përfundimin se dosja 184 nuk është në kompetence të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ajo i ka dhënë faktit një cilësim të ndryshëm juridik, për vepra penale që nuk hyjnë në kompetencën e saj.

Prokurori i çështjes, Klodian Braho, ka ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale, nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”.

Sipas organit qendror të akuzës, kjo dosje i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, e cila duhet të pranojë aktet dhe të regjistrojë procedimin penal.

Por prokuroria e Dibrës e kishte kundërshtuar këtë fakt, duke i kërkuar prokurorisë së përgjithshme caktimin e prokurorisë së Krimeve të rënda si organ kompetent për ndjekjen e dosjes 184 pasi veprat penale janë kryer nga grupi i strukturuar kriminal.

Shqetësim për Prokurorinë  e Dibrës, sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e Arta Markut, ishte konflikti i interesit me të pandehurit e çështjes, si dhe mungesa e stafit dhe kapaciteteve për të përballuar çështjen.

Drejtuesja e kësaj prokurorie, Esmeralda Keshi Cami ka lidhje familjare me njërin prej të pandehurve kryesorë të dosjes, konkretisht me Arben Keshin.

Ndërsa dy prokurorët e tjerë kanë pretenduar se janë në konflikt interesi, pasi njihen me personat që janë nën hetim. Dosja 184, që u regjistrua para 3 vitesh nga Prokuroria e krimeve të rënda, do t’i caktohet me short njërit prej dy prokurorëve të Dibrës, Rifat Kojku dhe Belina Zeneli.

E ashtuquajtura dosja 184 përfshin hetimin e disa personave, mes tyre edhe zyrtare shtetërorë në nivel qendror dhe lokal, lidhur me dyshimet për shitblerje të votave në zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Dibër në 2016.

Në përgjimet telefonike, që përmban kjo dosje, të publikuara nga gazeta Gjermane “Bild” dëgjohen në biseda deputetë dhe zyrtarë të lartë të partisë socialiste si Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, drejtues të policisë lokale dhe eksponentë të tjerë të njohur në Dibër./ABC News Albania 24/7