Trajneri i ri: Luftëtari të jetë në vendet e para të Superligës

18:28 | 07/06/2018

Luftëtari do të ketë trajner të ri sezonin e ardhshëm. Slloveni Millosh Kostiç nisi menjëherë punën, ndërsa foli për objektivat e skuadrës, në një intervistë për ABC News.

Nuk ka më bukur se një fillim i ri.

Edhe nëse kjo ndodh në një qytet të vogël në jugun e thellë të Shqipërisë, sërish ndjenjat janë të shkëlqyera, siç padyshim i pati trajneri i sapoemëruar i Luftëtarit, Millosh Kostiç.

Slloveni 46-vjeçar mori përsipër një detyrë aspak të lehtë, atë të pasardhësit të Hasan Likës, që e kualifikoi skuadrën gjirokastrite për në Ligën e Europës për herë të parë në historinë e saj.

Shumëkush u habit nga mosrinovimi me Likën, ndërsa Kostiç tregon se kur nisën kontaktet me klubin.

“Luftëtari më kontaktoi dy javë para përfundimit të sezonit. Erdha këtu dhe takova presidentin. Ky ishte kontakti i parë. Më pas, unë pata disa oferta të tjera, por më pëlqeu ekipi dhe vendosa të vija këtu”.

Kostiç është një trajner me rreth 8 vjet përvojë, ndonëse shumicën e kohës ka qenë ndihmës.

Për disa vjet numri 2 në kombëtaret e Sllovenisë U17 e U19, gjahtar talentesh për kombëtaren sllovene, ndihmës tek Crvena Zvezda e Beogradit dhe Liersi në Belgjikë, si dhe pak ndeshje si trajner i parë me Zheljezniçarin në Bosnjë, Aharnaikosin e Iraklisin në Greqi.

Gjithsesi, objektivat për të janë madhorë.

“Presidenti më foli për objektivat e klubit, dhe së pari duhet të krijojmë një skuadër stabël. Po ashtu, duhet të synojmë gjithmonë një nga 3 vendet e para në Superligë, si dhe të shkojmë sa më larg në Ligën e Europës, mundësisht deri në fazën e grupeve, me shpresë që një ditë të luajmë edhe në Champions”.

Slloveni e ka të qartë sesa i vështirë do të jetë fillimi, me largimin e disa prej lojtarëve kryesorë, mbi të gjithë të Abazajt.

“Kur një skuadër krijohet për disa vjet, siç ndodhi me Luftëtarin, është e vështirë ta rinovosh dhe ta bësh që të mbetet sërish e fortë e të luajë futboll të bukur. Gjithsesi, kjo është puna jonë, të gjejmë zëvendësues për lojtarët që ikin. Kjo është arsyeja që ne e nisëm punën më shpejt se normalisht, sepse duam të kemi kohë për t’u përgatitur, për të zëvendësuar lojtarët e rëndësishëm që largohen, dhe që të afrojmë po ashtu lojtarë shumë të mirë për sezonin e ardhshëm”.

Shumë trajnerë të huaj kanë dështuar në Shqipëri, përse Kostiç ka besim?

“Ju e dini sesi është puna jonë. Shumë e bukur, por edhe shumë e vështirë. Gjithsesi, unë kam besim që me ndihmën e stafit tim teknik, jemi të përgatitur ta përballojmë këtë sfidë dhe do të realizojmë objektivat, do të kënaqim tifozët, dhe do të vazhdojmë ngritjen e Luftëtarit çdo vit e më lart”./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono