Toyotat me 3.4 milionë euro/ Prokuroria letërporosi në Belgjikë, Gjermani e Angli


15:14 | 09/07/2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar 3 letërporosi për llogari të hetimit të nisur për 3.4 milionë eurot e gjetura në dy mjetet “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit. Letërporositë janë dërguar në Belgjikë, Gjermani e Mbretërinë e Bashkuar për mbledhje informacioni në lidhje me dy kushërinjtë Elvis e Alfred Vladi, të dyshuar si porositësit e “Toyotave” ku u gjetën paratë.

Pak ditë pasi mori në dorëzim aktet e dosjes së Prokurorisë së Durrësit për 3.4 milionë eurove të gjetura në dy mjete “Toyota aris”, Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur veprimet konkrete hetimore për zbardhjen e ngjarjes.

Lëvizja e parë e Krimeve ka qenë dërgimi i tre letërporosive drejt Belgjikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Belgjika është vendi i origjinës së automjeve “Toyota” ku u gjend sasia marramendëse e parave, ndrësa në Gjermani atyre iu është bërë dokumentacioni doganor.

Sipas burimeve, në thelb të letërporosive qëndrojnë emrat e kushërinjve Elvis e Alfred Vladi, janë porositësit e dy mjeteve “Toyota” dhe dyshohet të jenë organizatorët e kalimit të shumës së parave në mënyrë të jashtëligjshme.

Prokuroria për Krimet e Rënda do t’i kërkojë drejtësisë  belge, gjermane dhe asaj angleze informacion në lidhje me dy kushërinjtë Elvis e Alfred Vladi, sa i përket procedimeve penle të mundshme ndaj tyre në këto vende, apo mbi aktivitete financiare të ligjshme a të paligjshme të tyre.

Ndërsa janë shpallur në kërkim nga policia, nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se kushërinjtë Vladi nuk janë larguar nga vendi. Por ekziston mundësia që ata të kenë lënë vendit duke mos kaluar në pikëkalimet kufitare.

Aktualisht për këtë ccështje janë arrestuar Agim Çeka, Edi Lika (Cani) dhe i biri, Klevi Lika (Cani) si dhe Alban Mollaymeri, të cilët janë lënë në masën “arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit.

Pas kalimit të dosjes tek Krimet e Rënda pritet që të arrestuarit të dalin për rivlerësim mase sigurie në këtë gjykatë. Jozyrtarisht mësohet se kërkesat kanë mbërritur tek Krimet e Rënda, ku do të shqyrtohen brenda një afati 10 ditor. /abcnews.al

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono