Toronto barazon finalen e lindjes në NBA, 2-2 ndaj Miluokit

13:13 | 22/05/2019

Shumë i fortë dueli në në Konferencën Lindore në basketbollin amerikan. Edhe pse i cilësuar favorit, Miluoki u detyrua të pranonte humbjen në Kanada.

Është në barazim 2-2 finalja e Lindjes në NBA, dhe Toronto dha një mesazh. Edhe pse Koui Leonard luajti praktikisht “me një këmbë”, për shkak dëmtimi, sërish skuadra kanadeze e fitoi ndeshjen tepër të rëndësishme të katërt ndaj Miluokit.

Jo vetëm e fitoi, por edhe bindshëm me rezultatin 120-102. Kundërshtari ishte dukur i pandalshëm me një Janis Antetokumbo qiellor, por ja që gjërat shkuan ndryshe.

Toronto vuri në lëvizje “mekanizma” të tjerë, në radhë të parë lojtarët e stolit, që nuk është se kishin shkëlqyer shumë deri tani. Ata iu përgjigjën apelit duke realizuar një ndeshje të madhe.

Leonard e bëri të vetën, shënoi 19 pikë e kapi 7 topa në tabela, vodhi 4 topa e bllokoi 2 gjuajtje, aspak keq për një lojtar që luajti me dëmtim.

Gjithsesi, vendimtarë ishin Ibaka (17 pikë, 13 tabela), Pauell (18 pikë) e Vanvlit (13 pikë).

Padyshim, edhe lojtarët e formacionit bazë, ku Kajl Louri realizoi 25 pikë, pati 5 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Mark Gasol shtoi 17 pikë, 5 tabela e 7 asistë.

Antetokumbo u mbulua sërish fort, edhe pse shënoi 25 pikë, kapi 10 topa në tabela e dha 5 asistë. Midëllton dha një paraqitje të madhe me 30 pikë, por pjesa tjetër e skuadrës ishte dobët, me Bruk Lopezin që ia doli të realizonte vetëm 8 pikë.

Edhe pse ende Miluoki quhet favorit, sërish Toronto realizoi diçka të madhe, duke treguar se suksesi në basketboll nuk varet nga një yll i vetëm, ashtu siç e tregoi edhe Golden Stejti në Perëndim.

Ndeshja e pestë finale do të luhet mëngjesin e 24 majit në fushën e Miluokit. /ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono